Blinken: Falënderojmë popullin shqiptar që pritën afganët
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka bërë të ditur se 212 afganët e nisur nga Shqipëria kanë mbërritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Blinken ka falënderuar popullin shqiptar për mikpritjen e tyre.
“I lumtur të tregoj se 212 afganë mbërritën këtë mëngjes nga Shqipëria në SHBA, në shtëpinë e tyre të re. Për fqinjët tanë më të rinj: Ju mirëpresim dhe ju urojmë më të mirat në këtë kapitull të ri. Një falënderim i veçantë për Ministren e Jashtme, Olta Xhaçka dhe popullit shqiptar që pritën afganët”, është shprehur Blinken.
Kryediplomatja Olta Xhaçka falenderon gjithashtu Blinken dhe thekson se Shqipëria është krenare për bashkëpunimin e saj me SHBA-të në këtë operacion për të shpëtuar aleatët afganë.
“Faleminderit Blinken që e bëtë këtë të mundur. Shqipëria është krenare për bashkëpunimin e saj me SHBA-të në këtë operacion për të shpëtuar aleatët tanë afganë kur pjesa më e madhe e botës thjesht i qëndroi larg. Një falenderim i madh për të gjithë burrat dhe gratë e mahnitshme që bënë të mundur që kaq shumë afganë të fillojnë një jetë të re“, shkruan ministrja Xhaçka./atsh























