Sonte Kosova-Burkina Faso, live në RTK
Kombëtarja e Kosovës në futboll, sonte luan miqësoren kundër Burkina Faso.
‘Dardanët’ dhe Burkina Faso do të përballen në tempullin ‘Fadil Vokrri’ në sfidën e parë të këtij viti, shkruan RTKLive.com.
Kosova me trajnerin e ri Alain Giresse, synon të nis një epokë të re të sukseseve.
Kombëtarja jonë, ka zhvilluar tri seanca stërvitore para miqësores kundër Burkina Faso-s.
Atmosfera gjatë këtyre stërvitjeve ishte shumë e mirë, derisa edhe forma e futbollistëve duket të jetë në nivelin e duhur.
Të ftuarit e francezit Giresse janë të gatshëm për sfidën e sotme. Tekniku francez para ndeshjes me Burkina Faso, ka deklaruar se “miqësorja me Burkina Faso, por edhe ajo me Zvicrën, do të shërbejnë për ndeshjet e Ligës së Kombeve që nisin në muajin qershor”.
Miqësorja Kosova-Burkina Faso luhet sot prej orës 18:00 dhe transmetohet live në RTK. /F.BYTYQI/























