Shqipëri, opozita mocion me debat me qeverinë në Kuvend
Kuvendi në Shqipëri nis seancën e sotme me diskutime për mocionin për zhvillimin e debatit në lidhje me rritjen e përgjithshme të çmimeve dhe marrjen e masave të menjëhershme, kërkuar nga deputeti Enkelejd Alibeaj me cilësinë e Kryetarit të grupit parlamentar të PD-së.
Gjithashtu në rendin e ditës së Kuvendit është parashikuar interpelanca me Kryeministrin Edi Rama kërkuar nga një grup deputetësh dhe kërkesë për interpelancë me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku kërkuar nga deputetët Albana Vokshi dhe Flamur Noka.
Në Kuvend do të shqyrtohen edhe projektligjet “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen e pjesshme të zgjeruar për rrugët kulturore, miratuar me rezolutën CM/RES (2013) 66” si dhe “Për miratimin e programit të statistikave zyrtare për vitin 2022-2026”.























