Ahmetaj: Rritja e çmimeve për shkak të luftës në Ukrainë
Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj deklaroi sot se çmimet e rritura në treg janë derivim i krizës për shkak të invazionit rus në Ukrainë.
Gjatë debatit që po zhvillohet sot në Kuvend për çmimet në treg, Ahmetaj i kërkoi opozitës të mos e përdorë politikisht këtë debat, pasi të gjithë bien dakord se çmimet janë konseguencë e atij konflikti.
“Çmimet janë derivim i invazionit rus në Ukrainë. Ka një set me konseguenca në shumë produkte. Sa i takon çmimit të naftës ne jemi të vetëdijshëm se Rusia është një nga prodhuesit e të naftës, plus pasigurisë që reflektohet nga lufta. Çmimi i naftës është rritur nga 65 dollarë për fuçi në 114 dollarë për fuçi. Çmimet do të reflektojnë pasigurinë në terren. Biem dakord që janë konseguencë e atij konflikti. Mos e përdorni politikësh. Politikisht mund të përdorni logjikën si përgjigjet qeveria. Po ashtu çmimet e grurit janë rritur, pasi 20 % e ofertës ndërkombëtare të grurit vjen nga Rusia dhe Ukraina, ndaj nuk është e çuditshme që është rritur. Këtë nuk e kanë ndaluar as vendet më të pasura”, tha Ahmetaj.
Zv/kryeministri theksoi se pavarësisht se në raport me vitin 2019 çmimi i energjisë është rritur me 500%, sërish qeveria ka vendosur të mbrojë familjet dhe biznesin e vogël. Madje po mbrohet edhe biznesi i madh që megjithëse ka dal në treg të lirë, miksimi me prodhimin i lejon atij të mos shkojë përtej çmimit 22 -24 lekë për kilovat me TVSH.
“E gjithë kjo mbështetje kalon përtej mundësive financiare të qeverisë. Por qeveria ka marrë përsipër ta subvencionojë energjinë. Duhet të jemi të vetëdijshëm që kjo situatë sa ka filluar, ndoshta më e rënda nuk ka ardhur akoma. Qeveria ka vendosur 280 milionë dollarë në buxhet për të blerë energji që të mos kemi asnjë moment ndërprerje energjie. Këtë nuk e ka bërë asnjë vend. Është sociale përtej mundësive”, u shpreh ai.
Ministri vuri në dukje se energjia ka cenuar të gjitha kategoritë, por se ne jemi në pikën që nuk kemi prekur asnjë projekt.
Ministri iu përgjigj edhe thirrjes së opozitës për të hequr taksat.
“Ju shtireni kur thoni hiq taksat, sepse heqja e taksave kolapson shtetin dhe nuk do të kemi mundësi të paguajmë pensionet, spitalet, mësuesit, të blejmë vaksinat. Nuk besoj se pjesa e shëndoshë e opozitës e do këtë“, u shpreh Ahmetaj.
Sipas tij, sot biznesi i vogël në vend ka zero taksa, ndërsa janë zero taksat edhe për të punësuarit me pagë deri në 40 mijë lekë .
“Po bëjmë atë që mundemi. Duam të bëjmë të pamundurën. Nëpërmjet bordit të transparencës nuk po lejojmë manipulime. Qeveria tenton të frenojë tregun duke mos lejuar manipulimin e çmimeve”, tha Ahmetaj./atsh























