Manastirliu: Garantojmë mburojën sociale për qytetarët tanë
BKT
Shqipëri

Manastirliu: Garantojmë mburojën sociale për qytetarët tanë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, deklaroi sot se objektivi parësor i qeverisë në këtë situatë është ndërtimi i një mburoje sa më të fortë dhe hermetike në mbrojtje të qytetarëve dhe sidomos për ata më në nevojë në një kohë rekord.

Duke sjellë në vëmendje masat e marra nga qeveria për mbrojtjen e konsumatorit dhe kategorive në nevojë në fjalën e saj në Kuvend, Manastirliu theksoi se “paketa e rezistencës sociale është një mburojë e cila u hartua në një kohë rekord nga qeveria për të zbutur impaktin e pasojave që dalëngadalë po merr përmasa globale. Kjo situatë është jo e lehtë. Padyshim që nuk e ka sjellë qeveria. Ashtu sikurse edhe dy paraardhëset. Është një situatë e vështirë dhe duhet që ta përballojmë të gjithë së bashku. Por padyshim që përgjegjësia më e madhe për mbrojtjen e qytetarëve bie mbi qeverinë”.

Ndërkohë, tha Manastirliu, ne kemi në dorë të hedhim hapa konkretë për të bërë sa më pak të ndjeshme këtë situatë jo të lehtë tek njerëzit.

“Paketa e rezistencës sociale mbështet 576 mijë qytetarë të këtij vendi, të cilët për tre muajt e ardhshëm do të kompensohen për rritjen e çmimit për produktet e shportës të shkaktuar prej rritjes së çmimeve të tregjeve ndërkombëtare. Qeveria ka vendosur që për 3 muajt e ardhshëm një paketë ndihme prej 30 mijë lekë të vjetra në muaj për 3 muaj radhazi për mbështetjen për rritjen e çmimeve të shportës. 202 mijë pensionistët që përfitojnë, 43 mijë pensionistët që jetojnë vetëm, 66 mijë personat që përfitojnë pensione individualiteti, mbi 52 mijë persona me aftësi të kufizuar, mbi 6 mijë e 100 individë paraplegjik dhe tetraplegjik, mbi 12 mijë të verbër dhe mbi 64 mijë familjet që përfitojnë nga paketa e ndihmës ekonomike. Po kështu qeveria ka vendosur të indeksojnë në masën menjëherë pensionet në masën 33 milion dollarë e cila do të reflektohet menjëherë në pensionin e radhës për 673 mijë pensionistë.Është ngritur bordi transparencës dhe rritjes së çmimeve për produktet bazë të shportës në asnjë hallk të zinxhirit nga prodhimi tek tregtimi për të mos lejuar kostot abuzive në xhepat e qytetarëve”, theksoi Manastirliu.

Ministrja Manastirliu u shpreh se “paketa e rezistencës sociale ofron mbështetje për energjinë elektrike me një paketë prej 28 miliardë lekësh për të siguruar financimin e nevojshëm për të mbrojtur konsumatorët familjarë dhe biznesin e vogël nga rritja e çmimit të energjisë.

Duke u ndalur tek mbështetja dhe mburoja sociale, Manastirliu u shpreh se “me buxhetin e vitit 2022 ne kemi rritur me 1.5 miliard lekë buxhetin e programit të ndihmës ekonomike, duke dyfishuar prej janarit të këtij viti masën e ndihmës ekonomike për mbi 15 mijë familje që kanë mbi 3 fëmijë, duke trefishuar masën e ndihmës ekonomike për fëmijët pa kujdes prindëror dhe gratë e dhunuara e të trafikuara e duke rritur me 10% masën e ndihmës ekonomike për të gjithë familjet e tjera në skemë”.

Sipas saj, paketa e solidaritetit gjatë pandemisë ka ndihmuar të gjitha familjet aplikuese në ndihmën ekonomike përgjatë periudhës së mbylljes gjatë vitit 2020.

“Po kështu ka mbështetur përfituesit në skemën e ndihmës ekonomike me dyfishin e masës së ndihmës ekonomike gjatë vitit 2021 për një periudhë 6 mujore”, tha Manastirliu.

Më tej Manastirliu tha se “me reduktimin deri në zerimin e tatimit për pagat e ulëta, subvencionet për energjinë, transportin, bujqësinë, Paketa e Rezistencës Sociale synon zbutjen e pasojave të një situate të pazakontë, e treta në radhë përgjatë këtyre katër viteve. Ne jemi gati për çdo situatë që mund të përballemi pasi kemi planet dhe skenarët për mbështetjen e sektorëve duke garantuar mburojën sociale të nevojshme për qytetarët tanë. Por sikurse e ka treguar historia e krizave që në mënyrë periodike kanë goditur botën pasojat e tyre përballohen më mirë dhe me më pak dhimbje nga ato vende ku mbizotëron solidariteti dhe ku qytetarë dhe qeveri bëhen bashkë në një koalicion të madh, objektivi parësor i të cilit është ndërtimi i një mburoje sa më të fortë dhe hermetike për qytetarët dhe sidomos për ata më në nevojë”.

“Ashtu sikurse e kemi demonstruar deri më sot ne do të bëjmë të pamundurën dhe do të marrim të gjitha masat e nevojshme brenda mundësive tona për të mos lënë askënd pas edhe në këtë kohë të vështirë”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë nënvizoi se dy ngjarje tejet të vështira tërmeti dhe pandemia COVID, u menaxhuan falë një reagimi dhe mobilizimi të pashembullt të qeverisë, ku theksoi se investimet nuk u ndalën asnjë moment pavarësisht pandemisë./atsh


MË SHUME NGA Shqipëri