Ndërtimi i Qendrës për Personat me Sindromë Doun e Autizëm, në fazën finale
Albulena Bytyqi
Objekti i Qendrës për Personat me Sindromën Doun dhe Autizëm ende nuk ka përfunduar në tërësi. Në Shoqatën “Dovn Syndrom Kosova” thanë për Radio Kosovën se punimet e vrazhda kanë përfunduar, dhe se tash janë duke bërë përzgjedhjen e inventarit. Sipas tyre, qendra pritet të jetë e gatshme të ofrojë shërbime brenda tre muajve.
Edhe pse iniciativa për ndërtimin e një qendre për Personat me Sindromën Doun dhe Autizëm ishte marrë gjashtë vjet më parë dhe premtimet e zyrtarëve ishin që punimet do të përfundojnë në fund të vitit të kaluar, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur. Drejtoresha e kësaj qendre, Sebahate Hajdini-Beqiri, tha për Radio Kosovën se punimet kanë hyrë në fazën finale dhe sipas saj, brenda 3 muajve objekti do të jetë i gatshëm për shfrytëzim.
“Besoj që brenda 3 muajve do të përfundojë, është një qendër me sipërfaqe prej rreth 1 mijë metra katrorë, dhe ka dhoma të shumta të terapisë dhe aktiviteteve të tjera. Secila dhomë duhet ta ketë inventarin që duhet pasur shume kujdes me përzgjedhjen e tij. Është një proces që merr kohë më shumë por besoj, që brenda 3 muajve do të përfundojë”, tha Hajdini-Beqiri.
Drejtoresha tutje foli edhe për shërbimet terapeutike që do të ofrohen në këtë qendër, si për fëmijë ashtu edhe për të rriturit.
“Kemi dy programe: programi i intervenimit dhe edukimit të hershëm, në kuadër të së cilit ofrojmë shërbime terapeutike profesionale për fëmijët të moshës 0-12 vjeç, përfshirë shërbimin e fizioterapisë, psikologut dhe logopedit. Ndërsa programi për autonomi dhe aftësim profesional është program që dedikohet për të rinjtë dhe të rriturit me doun sindromë”, tha ajo.
Ndërtimi i qendrës është bashkë-financuar nga Komuna e Prishtinës, Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim –TIKA si dhe shoqatat “Autizmi” dhe “Dovn Syndrom Kosova”. Kjo është qendra e parë dhe e vetme e këtij lloji në vendin tonë që do të ofrojë shërbime për fëmijët e regjionit të Prishtinës.























