SPAK-u kërkon arrestimin e deputetit socialist Alqi Bllako
Prokuroria e Posaçme SPAK i kërkoi Kuvendit të Shqipërisë t`i japë lejen e arrestimit për deputetin e Partisë Socialiste qeveritare Alqi Bllako.
Bllako akuzohet nga SPAK-u për përfshirje në korrupsion gjatë kohës si Sekretar i Përgjithshëm i ministrisë së Mjedisit për shpronësimet në truallin ku do të ndërtohej në Fier impianti i djegies së mbeturinave, ndryshe incenerator.
"Për shtetasin Alqi Bllako, nisur nga fakti që është i zgjedhur deputet në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, Prokuroria e Posaçme bazuar në parashikimet e nenit 73/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenit 288/1/2 të Kodit të Procedurës Penale, do të paraqesë kërkesë Kuvendit për dhënie të autorizimit për caktimin e masës sigurimit personal “arrest në burg”-tha SPAK-u.
Korrespondenti i RTK-së Denion Ndrenika njoftoi nga Tirana se Gjykata e Posaçme (GJKKO) pranoi kërkesën e SPAK-ut për zotin Bllako në mesin e të paktën 9 personave nën hetim.
Ata janë ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i cili ndodhet në burg, si dhe Azem Shatëri, ish-kryekomunar në Portëz të Fierit, Pëllumb Abeshi, ish-anëtar i komisionit të prokurimit të koncesioneve, Florian Muçaj dhe ish-anëtarët e tjerë të nbjejtit komision Erion Murataj, Sabina Cenoimeri, Etleva Kondi, Klodian Zoto, ish-administrator i Integrated Technology Servises dhe Arenc Myrtezai, ish-adminiatrator i inceneratorit të Fierit.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë ka vendosur “sekuestro preventive” për pasurinë në zotërim të shtetasit E. B., lloji i pasurisë “apartament”, me sipërfaqe 99.48 m2, me adresë Tiranë, me vlerë sipas kontratës shitblerjes në shumën 144,246 Euro, që përmbush vlerën ekuivalente të përfituar në mënyrë të paligjshme nga shtetasi Alqi Bllako në shumën 14,964,900 (katërmbëdhjetë milion e nëntëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e nëntëqind) lekë.Bllako akuzohet si i implikuar në aferën e incineratorit të Fierit gjatë kohës që ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe më pas Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM)-njoftoi SPAK-u.























