Shpenzimi i 100 milionë eurove për energji, PDK do të mbledhë nënshkrimet
BKT
Lajme

Shpenzimi i 100 milionë eurove për energji, PDK do të mbledhë nënshkrimet

Grupi Parlamentar i PDK-së së bashku me deputetë të tjerë të opozitës do të mbledhë nënshkrimet për themelimin e Komisionit Hetimor mbi shpenzimet e 100 milionë eurove të destinuara për furnizim me energji elektrike gjatë krizës me të cilën u ballafaquan qytetarët e Kosovës gjatë katër muajve që lamë pas.

Kjo është bërë e ditur nga kryetari i PDK-së Memli Krasniq përmes një postimi në Facebook.

Ai ka thënë se Qeveria Kurti dje e ka refuzuar iniciativën e PDK-së për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar, e cila sipas tij është një përpjekje direkte për të fshehur të vërtetën dhe për të shmangur transparencën si obligim.

“Qytetarët e Kosovës, të cilëve ZRRE-ja me bekimin e Qeverisë Kurti ua ka rritur faturat e energjisë elektrike, kanë të drejtë të kuptojnë dhe duhet ta kuptojnë se në cilat linja, konkretisht për çfarë dhe se si janë shpenzuar mbi 100 milionë euro nga taksat e tyre.

Këtë të drejtë, pushteti mund të jetë përpjekur t’ua mohojë dje, por ne s’do ta lejojmë një padrejtësi të tillë.

Grupi Parlamentar i PDK-së, së bashku me deputetë të tjerë të opozitës, do të mbledhin nënshkrimet për themelimin e Komisionit Hetimor lidhur me këtë çështje, themelimi i të cilit pas refuzimit të mazhorancës, konfirmon se nuk kemi të bëjmë vetëm me dyshime të bazuara, por me të vërteta që duhet t’i dinë qytetarët, e të cilat pushteti po tenton t’i evitojë.

Transparenca është karakteri i një qeverisjeje. Një pushtet që proklamon veten si pushtet i drejtë, përse do të duhej të frikësohej nga transparenca?”, ka shkruar Krasniqi.


MË SHUME NGA Lajme