SBASHK-u paralajmëron grevë, nëse nuk plotësohen kërkesat nga qeveria
BKT
Lajme

SBASHK-u paralajmëron grevë, nëse nuk plotësohen kërkesat nga qeveria

Punëtorët e arsimit nga qeveria e Kosovës po kërkojnë atë që u takon. Ata po kërkojnë së bashku me punëtorët e sektorit publik nga 100 euro për muaj, siç thonë ata për shkak të rritjes së çmimeve për të gjitha produktet.

Përfaqësuesi i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës së Kosovës (SBASHK), Ymer Ymeri, tha se po kërkojnë atë që u takon dhe asgjë më shumë.

“Ne kemi ardhur në përfundim së bashku me BSPK-në të organizojmë protestë, ky është një paralajmërim se nëse qeveria nuk lëviz do të mund të shkojmë edhe me veprime tjera të veprimit sindikal, siç është edhe greva e përgjithshme”, tha ai për RTK.

Ai bëri me dije se për shkak të vonesave të ligjit të pagave, kjo formë e mbështetjes prej 100 euro do të ishte një mbështetje solide.

“Ne po kërkojmë nga 100 euro deri në hyrje në fuqi të ligjit të pagave”, theksoi ai.

Ndryshe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka paralajmëruar se do të organizojë protestë më 8 prill në Prishtinë. Sipas BSPK-së deri tek ky vendim kanë ardhur për shkak të moszbatimit të Ligjit për sigurimet shëndetësore, zvarritjes së hartimit të Projektligjit për paga dhe për shkak të mosinicimit të amandamentit për skemat pensionale.

Në një komunikatë për media BSPK ka bërë të ditur tri kërkesat kryesore që o ti parashtrojnë në protestën që do të mbahet më 8 prill 2022:

1. Të u jepen nga buxheti i shtetit nga 100€ të gjithë të punësuarve në sektorin publik përfshirë edhe punëtorët e Ndërmarrjeve Publike – deri në miratimin e Ligjit për Paga.

2. Të gjenden fondet e duhura dhe mënyra e duhur për fillimin e zbatimit të Ligjit për Sigurimet Shëndetësore.

3. Të iniciohet amendamentimi-ndryshimi i Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti.

“Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës pret nga Partneri Social – Qeveria se do të merret seriozisht me kërkesat e arsyeshme të punëtorëve”, thuhet në komunikatë.


MË SHUME NGA Lajme