Xhaçka: Shqipëria dënon ashpër sulmin barbar në Izrael
Shqipëria dënon ashpër sulmin barbar në Izrael, ku pesë persona humbën jetën dje në mbrëmje vonë nga të shtënat në qytetin izraelit Bnei Brak, pranë Tel Avivit.
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, reagoi sot duke u shprehur se, “ne qëndrojmë pranë Izraelit kundër këtyre sulmeve të tmerrshme terroriste”.
“Vrasja e njerëzve të pafajshëm nuk mund të jetë kurrë zgjidhja. Mendimet dhe lutjet tona shkojnë për familjet e viktimave”, theksoi Xhaçka.
“Ne inkurajojmë dhe mbështesim çdo hap drejt një procesi gjithëpërfshirës paqeje në Lindjen e Mesme”, nënvizoi ministrja Xhaçka.
Pesë persona humbën jetën dje në mbrëmje vonë nga të shtënat në qytetin izraelit Bnei Brak. Në incidentin e tretë të këtij lloji brenda një jave, një person hapi zjarr mbi kalimtarët.
Sulmuesi u qëllua më pas nga policia. Autori ishte një palestinez nga Bregu Perëndimor, i pushtuar prej izraelitëve, sipas agjencisë gjermane të lajmeve, DPA. /atsh























