Sekuestrohen 2 milionë euro pasuri krimi
BKT
Shqipëri

Sekuestrohen 2 milionë euro pasuri krimi

Policia e Tiranës po vijon punën për gjurmimin, identifikimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga aktiviteti kriminal.

Në këtë kuadër, Policia ka finalizuar operacionin policor të koduar “Transaksionet”, në kuadër të së cilit u sekuestruan pasuri që arrijnë vlerën 2 milionë euro, të cilat dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale e subjektit.

 

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Transaksionet”, u bë ekzekutimi i vendimit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, për vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme në ngarkim të shtetasit S. A. alias G. K. alias S. K., 34 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas është ndaluar më parë nga autoritetet policore holandeze dhe gjermane, si i dyshuar për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Pastrim parash”.

Në zbatim të vendimit të Gjykatës u bë sekuestrimi i pasurive të luajtshme e të paluajtshme, vlera e të cilave shkon rreth 2 milionë euro.

Konkretisht u sekuestrua një ndërtesë (vilë), së bashku me një sipërfaqe trualli në Palasë, Vlorë; një ndërtesë (vilë) në Sauk; një apartament në Rrugën e Elbasanit; dy sipërfaqe toke në Sauk; 4 automjete dhe 20% të aksioneve të një biznesi privat.

Nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për të zbuluar asete të tjera që ky shtetas dhe familjarët e tij mund t’i kenë regjistruar në emër të personave të tjerë./ATSH


MË SHUME NGA Shqipëri