Nikolla: Shqipëria, kontribut thelbësor si anëtare e denjë e NATO-s
BKT
Shqipëri

Nikolla: Shqipëria, kontribut thelbësor si anëtare e denjë e NATO-s

Më 1 prill 2009 Shqipëria u pranua zyrtarisht anëtare e NATO-s.

Në përshëndetjen e saj me rastin e 13-vjetorit të pranimit të Shqipërisë në Aleancë, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, shkruan midis të tjerash se, “më 1 prill 2009, pas ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit nga të gjitha vendet anëtare, Shqipëria u bë zyrtarisht anëtare e Aleancës.  Më 7 prill 2009, në selinë e Aleancës në Bruksel, u zhvillua ceremonia zyrtare e ngritjes së flamurit tonë kombëtar në NATO”.

“Gjatë këtyre  viteve, Shqipëria ka dhënë kontributin e saj proporcional dhe thelbësor, si një anëtare e denjë e NATO-s, në operacionet e Aleancës për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajone të ndryshme: në misionin KFOR të udhëhequr nga NATO në Kosovë; në ISAF dhe Misionin Resolute Support në Afganistan;  në misionet detare në Egje; në Prezencën e Përparuar të Përforcuar të  NATO-s në Letoni etj”, shprehet Nikolla.

Gjithashtu, shton Nikolla, “Forcat tona të Armatosura kënë qenë dhe janë të angazhuara në misione paqeruajtëse dhe luftarake në Bosnje- Hercegovinë, Sudani i Jugut, në operacionin ushtarak UNMISS të OKB-së etj”.

“Gjatë kësaj periudhe, me qindra ushtarakë shqiptarë shërbyen me përkushtim, profesionalizëm të lartë dhe sakrifica në misionet e Forcave të Armatosura në kuadër të Aleancës”, nënvizon Nikolla.

“Sot kujtojmë me respekt Dëshmorët e Atdheut, Kapiten Feti Vogli, Major Klodian Tanushi dhe Nëntetare Zarife Hasanaj, të cilët ranë në krye të detyrës, në misionet ushtarake në Afganistan dhe Letoni, si Dëshmorë të Paqes, për një botë më të sigurt”, përfundon Nikolla./atsh


MË SHUME NGA Shqipëri