Fëmijët e spektrit autik çelin ekspozitë në presidencë
Fëmijë me spektër autizmi happën në presidencën e Shqipërisë një ekspozitë me punime të tyre në pikturë.
Presidenti Ilir Meta tha se çdo fëmijë është unik për prindërit e tij dhe të gjithë prindërit janë krenarë për fëmijët e tyre.
Zoti Meta tha se fëmijët e mrekullueshëm me spektër autizmi sollën në një ditë me shi, diellin dhe ngjyrat në Institucionin e Presidentit, nëpërmjet një ekspozite të veçantë me punime të tyre.
Kjo ekspozitë u çel në Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin në bashkëpunim me “Klubin Kombëtar të Prindërve të Fëmijëve me Çrregullime të Spektrit Autik dhe Aftësi të Kufizuara”, raportoi korrespondenti i RTK-së, Denion Ndrenika.
“Në këtë veprimtari të organizuar theksova domosdoshmërinë, që institucionet shtetërore të mbështesin fëmijët me autizëm dhe t’ju ofrojnë familjeve të tyre të gjithë ndihmën e nevojshme sociale, psikologjike dhe financiare”-tha presidenti
Zoti Meta bëri thirrje njëherit që të gjithë të përpiqen çdo ditë për t’u krijuar kushtet fëmijëve me aftësi ndryshe të arrijnë potencialin e tyre të plotë, duke ju garantuar një arsim dhe mirëedukim cilësor, si dhe rritur mirëkuptimin dhe pranimin e tyre në shoqëri.
“Shoqëria jonë ka nevojë për solidaritet, për një Shqipëri të dhembshur dhe humane, për dashurinë, kujdesin dhe përkushtimin ndaj njerëzve më në nevojë!”-theksoi presidenti Meta.























