Sveçla: U përmbyllë suksesshëm kjo ditë, falë kolegëve të Enver Zymberit
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës Xhelal Sveçla ka thënë se gjatë ditës së sotme është punuar me kapacitete të shtuara policore në të gjitha komunat dhe pikat kufitare për të mos krijuar pritje të gjata, e të cilat kanë kaluar pa asnjë problem apo incident.
Në një postim në Facebook, ministri Sveçla thotë se suksesi i ditës së sotme është në masën më të madhe falë punës së policëve kolegë të Enver Zymberit, i vrarë 11 vjet më parë gjatë një aksioni të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës për t’i vendosur nën kontroll pikat kufitare në veri, Jarinjë dhe Bërnjak.
“Suksesi i ditës së sotme është në masën më të madhe falë punës së policëve, kolegëve të Enver Zymberit i cili po që se nuk do të vritej në përpjekjet për shtrirje të sovranitetit e integritetit territorial, do të festonte ditëlindjen e tij. Profesionalizmi i gjithë zyrtarëve policor sot, është urimi më i mirë që do të mund ta merrte ai”, ka shkruar Sveçla.
Postimi i plotë i Sveçlës:
Me kapacitete të shtuara policore në të gjitha komunat dhe në pikat kufitare për të mos krijuar pritje të gjata, pa asnjë problem apo incident, po e përmbyllim suksesshëm këtë ditë.
Siç jemi zotuar dhe përkushtuar, qytetarët serb të Kosovës kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre të votimit në komunat e Serbisë pa asnjë pengim nga ana e institucioneve apo qytetarëve tanë.
Suksesi i ditës së sotme është në masën më të madhe falë punës së policëve, kolegëve të Enver Zymberit i cili po që se nuk do të vritej në përpjekjet për shtrirje të sovranitetit e integritetit territorial, do të festonte ditëlindjen e tij. Profesionalizmi i gjithë zyrtarëve policor sot, është urimi më i mirë që do të mund ta merrte ai.
Gëzuar ditëlindjen Enver Zymberi, nga të gjithë kolegët e tu që me përkushtim të madh ja dolën sot dhe nga qytetarët që po i jetojnë ditët e triumfit të shtetit tonë.























