Osmani: Të rënët në Masakrën e Rezallës nuk do të harrohen kurrë
BKT
Lajme

Osmani: Të rënët në Masakrën e Rezallës nuk do të harrohen kurrë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar Masakrën e Rezallës në 23-vjetorin e saj.

Përmes një njoftimi në faqen zyrtare të Presidencës, ajo ka thënë se forca të regjimit gjenocidal të Serbisë, më 5 prill të vitit 1999 rrethoi shtëpitë e fshatit Rezallë dhe në mënyrë mizore vrau 98 djem e burra.

“Duke u përpjekur t`i fshehin gjurmët e krimit, autorët zhdukën 44 viktima, një pjesë e të cilëve u gjetën vite më pas në një varrezë masive në Rudnicë të Serbisë. E vërteta nuk mund të fshihet, ndaj do të jetë përkushtim i yni i vazhdueshëm. Për Rezallën dhe çdo vend të Kosovës ku janë kryer krime nevojitet drejtësi. Të rënët në këtë masakër nuk do të harrohen kurrë dhe bashkë me përvjetorët e lirisë do të kujtohen çdoherë”, ka theksuar Osmani.

Në këtë masakër, nga ushtria dhe policia serbe u ekzekutuan 98 shqiptarë, banorë të Rezallës dhe fshatrave përreth, nga të cilët 44 ishin munduar t’i zhdukin. /E.H/


MË SHUME NGA Lajme