Hoti: Serbia kreu masakër të tmerrshme në Rezallë
BKT
Lajme

Hoti: Serbia kreu masakër të tmerrshme në Rezallë

Sot mbushen 23 vjet nga masakra në Rezallë të Skenderajt, ku nga ushtria dhe policia serbe u ekzekutuan 98 shqiptarë, banorë të Rezallës dhe fshatrave përreth, nga të cilët 44 ishin munduar t’i zhduknin.

Kryetari i Delegacionit të Kosovës për Bisedime me Serbinë për Çështjen e Personave të Zhdukur, Andin Hoti, tha se masakra e Rezallës, ka qenë njëra ndër masakrat më të tmerrshme të Serbisë të kryera në Kosovë, duke e pasur parasysh jo vetëm vrasjen dhe masakrimin, por edhe zhvendosjen e trupave të viktimave në lokacione të ndryshme në Serbi.

“Muaj më parë i kemi gjetur shtatë viktima dhe dy ribashkime. Në fshatin e Rezallës janë edhe tre persona që konsiderohen të zhdukur, ndërsa nga masakra e Rezallës janë identifikuar një pjesë e këtyre trupave, dy ribashkime janë gjetur vitin e parë në Rudnicë dhe pjesët tjera kockore janë gjetur në Kizhevak, që tregon krimin e shumëfishtë të Serbisë. Në vitin 2021, si komision kemi asistuar, ku janë identifikuar 25 persona, ndërsa në vitin 2022 u identifikua një person”, tha Hoti në një intervistë për RTK.

Hoti deklaroi se si komision janë duke punuar edhe në riinventarizimin e morgut të Prishtinës.“E dini që në morgun e Prishtinës flitet që janë 300 mbetje mortore të paidentifikuara dhe antropologët tanë në Institutin e Mjekësisë Ligjore, në bashkëpunim me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur dhe Kryqin e Kuq Ndërkombëtar, kanë filluar riinventarizimin e këtij morgu, në mënyrë që të hiqet çdo dyshim që në këtë morg të mos ketë ndonjë person të paidentifikuar”, theksoi ai.

Ai më tej shtoi se, sa i përket lokacioneve, si komision janë duke punuar në disa sish, por që, për hir të familjarëve, vendet e lokacioneve nuk i bëjnë publike.“Mirëpo, janë disa urdhëresa që Instituti i Mjekësisë Ligjore i disponon, të cilat i ka lëshuar Prokuroria dhe Gjykata e që ne, si delegacion, në disa lokacione do të fillojmë së vepruari që në muajin prill”, përfundoi ai./E.H/

 


MË SHUME NGA Lajme