Kosova dhe Izraeli të gatshme për të zgjeruar e thelluar bashkëpunimin
Kryeministri Albin Kurti, ka pritur sot në takim ambasadoren izraelite në Prishtinë, Tamar Ziv, të cilën e ka falënderuar për njohjen e Kosovës nga Izraeli.
Duke e uruar për detyrën, kryeministri Kurti shprehu kënaqësinë për takimin dhe e falënderoi për njohjen e Republikës së Kosovës nga Izraeli.
Ambasadorja tha se është e nderuar të jetë ambasadorja e parë e Izraelit në Kosovë, dhe e ftoi Kryeministrin për vizitë zyrtare në Izrael. Ajo shtoi se ndonëse nuk kemi pasur marrëdhënie diplomatike, njerëzit tanë kanë qenë në kontakt me njëri-tjetrin.
Në takim u konfirmua gatishmëria e të dyja shteteve për të zgjeruar e thelluar bashkëpunimin.
Po ashtu u bisedua për mundësitë konkrete të bashkëpunimit në fushat e ekonomisë, bujqësisë, arsimit dhe kulturës, si dhe mbi potencialin e bashkëpunimit në fushën e teknologjisë së informacionit dhe të komunikimit (TIK).
Kryeministri Kurti tha se digjitalizimi është një nga objektivat në programin e Qeverisë, ndërsa agjenda e re digjitale do të jetë një nga pikat kryesore të strategjisë së re kombëtare të zhvillimit, thuhet në komunikatë.
Kujtojmë se Kosova hapi zyrtarisht ambasadën e saj në Jerusalem, vetëm disa javë pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me shtetin e Izraelit më 1 shkurt 2021, dhe se Kosova është vendi i tretë pas SHBA-së dhe Guatemalës që hapi misionin e saj diplomatik në Jerusalem./ V.Thaçi























