Haxhiu: Gjatë vizitës në Hagë kam adresuar disa çështje
BKT
Lajme

Haxhiu: Gjatë vizitës në Hagë kam adresuar disa çështje

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu gjatë intervistës në RTK Prime, duke folur për vizitën e saj në Hagë, ku u takua me disa prej të akuzuarëve në Gjykatën Speciale, por jo edhe me ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli, ka thënë se takimet me dy të fundit nuk kanë ndodhur pasi nuk ka pasur vullnet nga ana e tyre.

“Në vizitën tonë kemi takuar Komisionin ndërkombëtar për persona të pagjetur, po ashtu kemi takuar pesë nga personat që po mbahen në paraburgim, Hysni Gucatin, Rexhep Selimin, Pjeter Shalën ,Jakup Krasniqin dhe Nasim Haradinajn. Jam takuar me kryetaren e Gjykatës, Ekaterina Trendafilova dhe me ambasadorin holandez për organizatat humanitare, si dhe me avokatin e popullit”, ka theksuar Haxhiu.

Ministrja tregoi se gjatë këtyre takimeve është njoftuar në raport me kërkesat dhe shqetësimet që mund të kenë ata.

“Me rëndësi ata janë mirë me shëndet, po qëndrojnë të fortë dhe çështjet që janë serioze i kemi ngritur në instancat tjera. Parim kryesor, ndërkombëtar dhe i aplikueshëm e që njihet në kushtetuesen tonë është gjykimi i drejtë në kohë të arsyeshme dhe se disa prej tyre po mbahen afër dy vjet në paraburgim dhe nuk ka ende seancë gjyqësore. Natyrisht që kjo përbën shqetësim, sepse nuk është e lehtë dhe nuk është standard i drejtë në qoftë se dikush mbetet në paraburgim përderisa ka nisur seanca gjyqësore”, tha Haxhiu.

Haxhiu tha se gjatë vizitës ka ngritur edhe çështjen e vizave të familjarëve, të cilët fatkeqësisht duhet të aplikojnë çdo muaj për t’u pajisur me viza dhe të merren me procedurat burokratike.

“Ne kemi një vullnet që kjo çështje duhet të adresohet sa me parë që të paktën bashkëshortet, por edhe fëmijët e tyre te pajisen me viza afatgjate apo speciale, po ashtu po bëjmë përpjekje që t’ua mundësojmë edhe për prindërit , por nuk e di nëse do te kemi sukses. Po ashtu kam adresuar çështje te tjera që lidhen me vizitat institucionale”, tha Haxhiu.

Ndërkaq rreth pamundësisë së vizitës së saj tek ish-presidenti Thaçi dhe ish-kryeparlamentari Veseli, ajo ka thënë se ka munguar vullneti nga ana e tyre për një gjë të tillë. “Nuk kemi ndonjë shpjegim. Ne kemi bërë kërkesë sepse konsideroj që si Ministre e Drejtësisë kam për obligim që të bëjë kërkesa që t’i vizitojë të gjithë. Mendoj që një mosvullnet në anën tjetër është i paarsyeshëm dhe konsideroj që në rrethana të tilla nuk e kuptoj si të tillë. Mirëpo është në vullnetin e tyre, nuk mund ta vizitosh askënd në një institucion korrektues, apo të paraburgimit në këtë rast, në qoftë se nuk ka vullnet nga pala tjetër. Ne kemi treguar interesin tonë si institucione. Mendoj se mund të refuzosh të takosh një individ mirëpo kur bëhet fjalë për institucionet është më ndryshe. Mirëpo ne jemi të gatshëm sa herë që ata kanë nevojë që të na presin, ne të jemi. I mbetet atyre që kur të kthehen në Kosovë që t’i tregojnë arsyet se pse s’na kanë pritur. Konsideroj se nuk ka qenë e arsyeshme”, është shprehur Haxhiu. Ajo vuri në kujtesë se Lëvizja Vetëvendosje ishte ajo që e kundërshtoi themelimin e Speciales, pasi e kishte parasysh se një gjykatë e tillë tenton ta shtrembërojë të vërtetën për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës./V.Thaçi/

 

Haxhiu për akuzat në KEK: VV nuk do të ndikojë kurrë në procese punësimi

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar sot se ka nisur hetimet në lidhje me punësimet e reja në një konkurs të Korporatës Energjetike të Kosovës, ku kanë aplikuar 4.668 persona,  e ku u punësuan 128 persona. Por, ky proces u raportua se pati shumë shkelje, teksa partitë opozitare deklaruan se të punësuarit janë militantë të VV-së.

Lidhur me këtë çështje ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se e mirëpret fillimin e hetimeve nga ana e Prokurorisë dhe se çdo pretendim pa marrë parasysh qëllimin që ka duhet të marrë epilogun nga organet e drejtësisë.

“Duke pasur parasysh sulmet në vazhdimësi ndaj qeverisë tonë mund të pritet që këto të jenë akuza të pabaza dhe të padrejta. Por, unë e përshëndes nisjen e hetimeve nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, për faktin se secili pretendim pavarësisht qëllimit që ka duhet të mbyllet. Është për keqardhje që subjektet politike të cilat nuk kanë lënë ndërmarrje publike pa shkatërruar hedhin akuza të tilla kundër Lëvizjes Vetëvendosje, por që duket se më tepër kanë qëllim ta dëmtojnë LVV-në se sa që diçka e tillë qëndron”, ka theksuar Haxhiu në intervistë me gazetarin Bashkim Vishaj në “RTK Prime”.

Lidhur me akuzat e sotme të zëdhënëses së LDK-së, Sibel Halimi se të punësuarit në KEK janë militantë të VV-së, ministrja Haxhiu ka ftuar z. Halimi që të bashkëpunojë me Prokurorinë për t’i adresuar shqetësimet e saj nëse ato qëndrojnë vërtetë, teksa ka mohuar në mënyrë kategorike përfshirjen e VV-së në këtë proces.

“Korporata Energjetike e Kosovës tashmë ka dalë me deklaratë se procesi do të rishikohet. Derisa nisja e hetimeve nga Prokuroria për këtë çështje do ta mbyllë çdo diskutim dhe pretendim për këtë çështje. VV nuk ka ndikuar dhe nuk do të ndikojë asnjëherë në procese të tilla. Asnjëherë më në Kosovë nuk do të ketë subjekte politike që do të abuzojnë me përgjegjësitë e tyre dhe që ndërhyjnë në proceset e tilla që duhet të jenë të drejta dhe transparente. Vetëm personat që e meritojnë t’i marrin ato pozita do t’i marrin. E di se opozita ka dëshirë të kemi një ‘Pronto’ të radhës por më duhet t’i dëshpërojë sepse nuk do të kemi më raste të tilla. Asnjëherë kriter për punësime nuk do të merret anëtarësia partiake. Të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës duhet të trajtohen të barabartë“, ka nënvizuar Haxhiu.

Ajo ka theksuar se tani duhet ta lëmë Prokurorinë ta bëjë punën e saj dhe ta mbyllë këtë diskutim.

Më herët edhe kryeministri Albin Kurti ka mohuar akuzat se në Korporatën Energjetike të Kosovës janë punësuar përkrahës të Vetëvendosjes. Ai ka thënë se nëse ka pasur parregullsi në konkursin në KEK, të njëjtat do të rregullohen me shqyrtimin e ankesave./B.Halimi/
 


MË SHUME NGA Lajme