Osmani-Metsola: Kosova e ka dëshmuar veten si aleate e besueshme
BKT
Lajme

Osmani-Metsola: Kosova e ka dëshmuar veten si aleate e besueshme

Presidentja Vjosa Osmani ka zhvilluar sot një takim virtual me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola me të cilën diskutuan një sërë temash, që nga liberalizmi i vizave për Kosovën, situatën aktuale në Evropë pas invazionit të Rusisë kundër Ukrainës, si dhe përkushtimin e Kosovës për paqe dhe dialog.

Duke e falënderuar presidenten Metsola për përkushtimin e saj për të përshpejtuar procesin e liberalizimit të vizave për shtetasit e Kosovës, presidentja Osmani ritheksoi se populli i Kosovës është populli më pro-evropian në botë, andaj e drejta për të udhëtuar lirshëm duhet garantuar pa vonesë.

“Vlerat evropiane janë të mishëruara në Kushtetutën e Kosovës dhe përparimi i vazhdueshëm i vendit tonë në indekset e ndryshme të demokracisë dhe luftës kundër korrupsionit janë dëshmi që e ardhmja jonë e vetme është në familjen evropiane. Ne jemi të përkushtuar që të forcojmë marrëdhënien tonë për një rrugëtim të drejtë e të barabartë drejt BE-së”, ka thënë Osmani.

Sipas njoftimit nga Zyra e Presidencës në takim është diskutuar edhe për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, pandeminë dhe rolin konstruktiv të Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë.

"Presidentja Matsola e falënderoi presidenten Osmani për bashkërendimin e Kosovës me partnerët perëndimorë për luftën në Ukrainë dhe ritheksoi kërkesën e vazhdueshme të Parlamentit Evropian për përshpejtim të liberalizimit të vizave", thuhet tutje në njoftim.


MË SHUME NGA Lajme