Ambasadorja Kim vijon takimet me shefat e deputetëve
Kryetari i deputetëve socialistë qeveritarë Taulant Balla ishte zyrtari i lartë që u takua nga ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri.
Tematika ndonëse nuk jepet, besohet që në rend të parë të jetë zgjedhja e presidentit të ri sipas paralajmërimeve të socialistëve, brenda 24 majit.
Presidentit Ilir Meta i përfundon mandati pesëvjeçar në 24 korrik 2022.
Ambasadorja Kim pak pas orës 11:30 hyri në selinë e kryesisë së Kuvendit ku ndodhen zyrat e grupeve të deputetëve, raportoi korrespondenti i RTK-së Denion Ndrenika.
Takimeve të zonjës Kim i parapriu dje biseda me kryetarin në detyrë të deputetëve të Partisë Demokratike opozitare Enkelejd Alibeaj.
Por, për zotin Alibeaj, Komisioni i Rithemelimit të PD-së thotë se është shkarkuar nga Kuvendi Kombëtar në 11 dhjetor 2021 dhe i njohur me vendim të gjykatës javën e kaluar.
Zonja Kim bisedoi pardje me kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla dhe njoftimi zyrtar ishte me një fjali tejet të gjatë mbi temat e trajtuara:
"Gjatë takimit u bisedua mbi rolin edhe kontributin e rëndësishëm të Kuvendit të Shqipërisë nën lidershipin e Kryetares së Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, në avancimin dhe thellimin e reformave të rëndësishme, jetike për jetën e vendit, fuqizimin e shtetit të së drejtës, konsolidimin e institucioneve demokratike dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar; rëndësinë e avancimit të procesit të vetting-ut dhe ndërtimin e një sistemi drejtësie të ndershëm, në shërbim të qytetarëve; bashkëpunimin e suksesshëm midis ShBA dhe Shqipërisë në kuadrin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe NATO-s për dënimin e agresionit ushtarak të Rusisë dhe mbështetjen e Ukrainës; bashkëpunimin dypalësh për rritjen e sigurisë dhe forcimin e paqes në rajon e më gjerë; rritjen e bashkëpunimit midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Kongresit Amerikan, edhe në kuadrin e 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis të dy vendeve; nxitjen dhe mbështetjen e investimeve amerikane në Shqipëri dhe çështje të tjera të bashkëpunimit dypalësh".























