Gjykimi ndaj Mustafës në Hagë vazhdon javën e ardhshme
BKT
Lajme

Gjykimi ndaj Mustafës në Hagë vazhdon javën e ardhshme

Ka përfunduar seanca e sotme në Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.

Para trupit gjykues sot e ka përfunduar dëshminë e tij dëshmitari i shtatë i mbrojtjes së Mustafës, Nazmi Verbovci.

Gjatë dëshmisë para Dhomave të Specializuara në Hagë, Verbovci ka deklaruar se është takuar dy herë me Salih Mustafën në shtëpinë e tij në Barilevë. Sipas tij, takimi i parë ka qenë në fillim të muajit prill, ndërsa i dyti rreth datave 21 dhe 22 prill 1999.

 “Salih Mustafa ka qenë i njohur për neve, është një veprimtar i çështjes kombëtare dhe ne adhurojmë këta njerëz që janë për çështje kombëtare. Ka qenë i burgosur, unë e kam njohur. Ky mua nuk ka mund të më njohë, unë e kam adhuruar këtë njeri”, ka thënë Verbovci.

Seanca tutje është zhvilluar me pyetjet e prokurorit rreth datave 1 dhe 2 prill për çka dëshmitari ka pasur kritika për prokurorinë që siç ka thënë ai po i ndryshojnë deklaratat e tij.

Gjykimi ndaj Salih Mustafës do të vazhdojë të hënën më 11 prill. Mustafa është arrestuar më 24 shtator 2020 me pretendimin për krime lufte. Ai po qëndron në paraburgim në Hagë, ndërsa në paraqitjen e tij para trupit gjykues është deklaruar i pafajshëm./B.H/


MË SHUME NGA Lajme