Rama: Do të kërkojmë ndarjen nga Maqedonia e Veriut
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot lidhur me hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian se, “ne do të presim vendimmarrjen e Këshillit Evropian dhe shumë njerëz shpresojnë që këtë herë do të ndodhë ajo që duhet të kishte ndodhur prej disa vitesh dhe që Bullgaria do ta heqë veton”.
Në një konferencë për shtyp për të prezantuar rezultatet e Këshillimit Kombëtar, duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, Rama tha se “nuk jam aq optimist, sa janë shumë të tjerë, por kjo nuk ka shumë rëndësi. E kam thënë dhe përsëris që çështja e datave është e tyre dhe jo e jona. Çështja jonë është që të jemi çdo ditë duke bërë gjënë që duhet bërë, që ky vend të bëhet një vend me standardet e një vendi anëtar të Bashkimit Evropian”.
“Data dhe ora se kur ne hyjmë në x derë të labirintit të integrimit e kanë në dorë ata, dhe këtë gjë e mësuam nga zhgënjimet, sepse na gënjyen disa herë dhe nuk jemi më të predispozuar të gënjehemi. Në momentin që kjo nuk do të ndodhë ne do të ndryshojmë kursin komplet, kursi ynë do të jetë komplet i ri. Ne do të kërkojmë ndarjen nga Maqedonia e Veriut dhe do ta bëjmë në çdo instancë, me çdo qeveri të BE, me Brukselin, me të gjithë, Shqipëria nuk mund të presë që të zgjidhin një sherr mes tyre dy komshinj fqinjë me të cilët kemi marrëdhënie shumë të mira, s’kemi asnjë problem për t’u ulur në tryezën e Konferencës. Ne do të bëjmë tonën, kursi i politikës sonë në këtë drejtim do të ndryshojë plotësisht”, tha Rama.























