Lajçak: Është urgjente arritja e marrëveshjes për targat
Kosova dhe Serbia kanë vazhduar negociatat në Bruksel, me ndërmjetësimin e Emisarit të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak për çështjen e targave. Ky i fundit, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Twitter, ka njoftuar se grupet punuese të dy vendeve kanë diskutuar për këtë çështje.
Lajçak tha se është urgjente të arrihet një kompromis për të përmirësuar lirinë e lëvizjes në rajon.
“Ekspertët e Kosovës dhe Serbisë janë takuar sot në Bruksel për takimin e 7-të grupeve punuese për targat. Me afrimin e afatit, është urgjente të arrihet një kompromis për të përmirësuar lirinë e lëvizjes në rajon. Është përgjegjësi e të dyja palëve të bien dakord për një zgjidhje”, ka shkruar Lajçak.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ditë më parë në Komisionin për Integrime deklaroi se më 21 prill do të dilet me një qëndrim nëse është arritur apo jo marrëveshja për targat.
E me këtë datë përfundon edhe afati prej 6 muajve kur ishte arritur marrëveshja e përkohshme për targat, që kishte çuar në zhbllokimin e pikave kufitare në veri të vendit./B.H/
























