Shumë paciente po trajtohen me vendosjen e protezës pas operimit të gjirit
Venera Adili
Dhjetëra pacientë janë në listën e pritjes për t’u operuar në Klinikën e Kirurgjisë Plastike për rikonstruktimin e gjirit. Kapacitetet në këtë klinikë i plotësojnë kërkesat, por është e nevojshme ndihma e institucioneve dhe donatorëve për t’i siguruar protezat.
40-vjeçarja V. H. arriti të mposhtë sëmundjen pas 5 vjetësh trajtim të kancerit të gjirit. Gjendja e saj emocionale do të ndryshojë edhe më shumë kur të rikthejë edhe pamjen fizike pas intervenimit në QKUK.
“Ndihem më e plotësuar dhe shumë mirë. Normal që ndihesh më e lehtësuar dhe nuk e ki drojën që mos po dukem keq ose ngjashëm. Edhe më herët kam pasur interesim por kostot kanë qenë shumë të larta dhe jashtë shtetit”, ka theksuar pacientja V.H.
Operimet e rikonstruktimit të gjirit janë duke u kryer në Klinikën e Kirurgjisë Plastike me mbështetje të donatorëve nga Gjermania.
“Deri tani janë operuar 9 gra, 6 gra me mbështetjen e donatorit nga Gjermania, Erik Vogelenzang dhe implantet tjera i kemi siguruar falë njerëzve të vullnetit të mirë. Qëllimi kryesor i kësaj fushate është që këto implante të futen në listën esenciale dhe të sigurohen nga shteti njëjtë sikur citostatikët”, ka theksuar për RTK-në, Violeta Zatriqi, Drejtoreshë e Klinikës së Kirurgjisë Plastike.
Ndërkaq, donatori gjerman, Erik Vogelenzang, u shpreh se qëllimi i projektit është që gratë e Kosovës të ndihen të barabarta me të gjitha gratë e Evropës.
“Pra, qëllimi është që të bëhet rikonstruktimi i gjirit menjëherë pas kurimit të sëmundjes së kancerit. Ne synojmë që ta vazhdojmë këtë projekt edhe më tej”, ka theksuar Vogelenzang.
Numri i të interesuarave për këtë intervenim është rritur, ndërsa tash për tash janë 100 paciente në listën e pritjes.























