Kurti në forumin Delphi, takon Xhaferoviqin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po qëndron në Greqi ku po merr pjesë në Forumin Ekonomik Delphi.
Gjatë ditës ka zhvilluar takime zyrtare me disa përfaqësues të organizatave dhe vendeve të ndryshme.
Kurti i shoqëruar nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla janë takuar me kryetarin e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Shefik Xhaferoviq, me të cilin diskutuan për raportet mes dy vendeve dhe mundësitë e forcimit dhe përparimit të bashkëpunimit përkundër pengesave politike.
Kurti e Xhaferofiq folën edhe për agresionin rus në Ukrainë, të cilin e dënuan ashpër.
Kryeministri Kurti tha se duhet të vazhdojnë të solidarizohen dhe të mbështesin luftën nacionalçlirimtare të popullit ukrainas dhe të jenë syhapur karshi lidhjeve të gjera dhe të thella të Federatës Ruse dhe Serbisë.
Po ashtu, Kurti në Greqi u takua edhe me kryeshefin Ekzekutiv të Forumit Ndërkombëtar të Fondeve Sovrane të Pasurisë, Duncan Bonfield.
Dyshja diskutuan për qeverisjen e mirë dhe transparencën, për të cilën Kurti tha se janë komponentë themelore për mirëfunksionimin e ndërmarrjeve publike.
Kurti e njoftoi Duncan për veprimet e qeverisë në reformimin dhe ringjalljen e ndërmarrjeve publike.
Forumi i parë Ekonomik Delphi u iniciua nën kujdesin e Presidentit të Republikës së Greqisë, Prokopis Pavlopoulos, më 25 shkurt 2016, në Qendrën Kulturore Evropiane në Delphi.
Pjesëmarrës nga 32 vende dhe më shumë se 200 përfaqësues të mediave zakonisht bashkohen në takimet për çdo vit. /RTK























