Diskriminimi në baza gjinore mbetet shqetësues
BKT
Lajme

Diskriminimi në baza gjinore mbetet shqetësues

Arlinda Sejda

Diskriminimi ndaj grave vazhdon të mbetet i theksuar në Kosovë. Numri i grave që janë përballur me shkelje të të drejtave të punës dhe të lehonisë, mbetet tejet shqetësues për shoqërinë kosovare. Kështu është thënë në raportin e publikuar nga Rrjeti i Grave të Kosovës.

Diskriminimi ndaj grave vazhdon të mbetet i theksuar në vendin tonë. Gratë mbesin të anashkaluara si në punësim ashtu edhe në menaxhim. Numri i grave që janë përballur me shkelje të të drejtave të punës, kompensimin për punë jashtë orarit, shkelja e të drejtave për pushim të lehonisë etj, mbesin tejet shqetësuese, kryesisht në sektorin privat.

Këto janë disa nga konstatimet që kanë dalë në raportin e dytë të publikuar nga Rrjeti i Grave të Kosovës.

“Sidoqoftë gratë kanë 2 herë më shumë gjasa se burrat ta përjetojnë këtë formë të diskriminimit. Diskriminimi ka ndodhur në bazë të gjetjeve të hulumtimit tonë, si në sektorin privat, administratë publike por edhe në qeveri”, thotë Adelina Tërshani nga RRGK.

Nga institucioni i avokatit të popullit thonë se kanë pranuar ankesa për shkelje të të drejtave të grave në punësim, por shqetësuese mbetet mosraportimi, ka thënë.

 “Avokati i popullit në vitin 2021 ka pranuar 138 ankesa me pretendim se janë cenuar të drejtat në punë . Bazuar në ankesat e parashtruara, gratë janë në një pozitë më të pafavorshme se burrat, diskriminimi gjinor është i pranishëm si në sektorin publik dhe atë privat. Rastet e diskriminimit gjinor rrallëherë denoncohen ashtu siç është konstatua edhe në raport”, thotë Naim Qelaj, avokat i popullit.

Ndersa Drinas Zeqiraj nga ministria e financave tha se në kuadër të projektligjit të punës parashihen edhe masat kundër shkelësve.

"Synimi jonë është që t'i lëmë sa më pak për të interpretuar dhe ligji të jetë sa më i qartë për të gjitha palët, të kuptohemi që marrëdhënia e punës është një marrëdhënie, ku punonjësi është në një pozitë të disfavorshme nda punëdhënësit, prandaj është shumë e rëndësishme që dispozitat të jenë të qarta, të parashikueshme dhe transparente për të gjithë E inspektorati i punës ka mungesë të kapaciteteve në numrin e inspektorëve”, thotë ai.

"Është e domosdoshme që edhe femrat të kyçen në këtë mision sepse janë më të afërta dhe më lehtë mund të realizojnë qasjen me personat të cilët diskriminohen", thotë Agim Millaku nga Inspektorati i punës.

Ndërkohë, nga të dhënat cilësore dhe hulumtime të tjera sipas raportit dëshmojnë se edhe në sektorin publik ka diskriminim me bazë gjinore që prekë edhe njerëz të tjerë. E për të luftuar këtë dukuri, Igballe Rogova nga Rrjeti i Grave bëri thirrje që të raportohen rastet e diskriminimit në baza gjinore dhe punësimi në Kosovë.

 


MË SHUME NGA Lajme