S’gabon Ballkani, ‘blindon’ kreun, Gjilani shkund Drenicën
BKT
Sport

S’gabon Ballkani, ‘blindon’ kreun, Gjilani shkund Drenicën

Ballkani ka bërë edhe një hap të madh në garën për titull të kampionit, duke e mundur sot në udhëtim Dukagjinin, me rezultat 0-1, ndeshje kjo e zhvilluar në kuadër të javës së 28-të të elitës së futbollit tonë.

Skuadra nga Suhareka është në rrugë të mirë që për herë parë në historinë e tyre të prekin titullin e kampionit.

Ballkani edhe në duel me Dukagjinin, ka vazhduar me formën e mirë duke arkëtuar edhe tri pikë të reja në betejën për kreun e tabelës.

Meriton Korenica në minutën e 81-të shënoi golin e fitores për skuadrën e Ilir Dajës. Ballkani pas kësaj fitore, ‘blindon’ kreun me 60 pikë, tetë më shumë së Gjilani që sot mundi Drenicën, me rezultat 5-0, raporton RTKLive.com.

Skuadra e Ismet Munishit është shfaqur ekip më i mirë se drenicasit në çdo aspekt, duke marrë tri pikë të mëdha në garën për majat e tabelës.

Lushtaku (14’. autogol), Rezak (42’), Shkodra (76’), Krasniqi (80’) dhe Progni (90+5’), shënuan nga një gol për fitoren e gjilanasve që tani kanë 52 pikë në vendin e dytë, kurse, Drenica renditet e gjashta me 35 pikë të tubuara. /F.BYTYQI/