Gjykata vendos për “ngrirje“ tarifash
BKT
Lajme

Gjykata vendos për “ngrirje“ tarifash

Venera Xhoxhaj - Adili

Rreth dy muaj pasi hyri në fuqi vendimi për shtrenjtimin e energjisë elektrike, i njëjti është pezulluar.

Gjykata Themelore e Prishtinës sot vendosi masë të përkohshme ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, që kishte vendosur për shtrenjtimin e tarifave të energjisë elektrike.

Pezullimi vjen pas padisë së ushtruar në Gjykatë nga Partia Demokratike e Kosovës.

Ndërkohë, ZRRE-ja deklaron se do ta apelojë këtë vendim.

“Shtrenjtimi i energjisë elektrike, duke qenë edhe diskriminues edhe në baza etnike e territoriale, ka qenë i patejkalueshëm dhe gjykata ka bërë mirë që ka marrë një vendim në favor të interesit
publik”, ka thënë Abelard Tahiri, Kryetari i GP të PDK-së.

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, që kryeson Komisionin për Ekonomi, theksoi se pas këtij vendimi është rikonfirmuar domosdoshmëria e ngritjes së komisionit hetimor parlamentar.

“Vendimi i sotëm i gjykatës është një konfirmim shtesë dhe një motiv shtesë juridik për nevojën urgjente të ngritjes së komisionit hetimor parlamentar të cilin tashmë e kemi bërë kërkesën bashkë
me 40 nënshkrime në mënyrë që e vërteta dhe paligjshmëria dhe pabarazia në këtë sektor të dalë në shesh”, ka thënë Shala.

Vendimin e gjykatës, e vlerësoi si të drejtë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Pas vendimit të gjykatës, reagoi kryesuesi i i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, Ymer Fejzullahu.

Ai paralajmëroi apelimin e vendimit, duke thënë se vendimi për të caktuar të hyrat maksimale dhe tarifat e energjisë elektrike është në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi.


MË SHUME NGA Lajme