VIDEO- Katërmbëdhjetë vjetori i Kushtetutës
Jeton Musliu
Kosova ende nuk është anëtare e NATO-s e as OKB-së, por sidoqoftë, sot feston 14-vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Republikës, e cila hyri në fuqi më 15 qershor 2008.
Hartimi i saj nuk ishte i lehtë, për shkak të rrethanave specifike në të cilën ndodhej vendi në atë kohë.
Më 7 prill 2008 u nënshkrua Kushtetuta e Republikës së Kosovës, kurse më 9 prill 2008, Kuvendi i Kosovës miratoi me aklamacion Kushtetutën e cila hyri në fuqi më15 qershor të atij viti.
Tani dokumenti më i lartë juridik i vendit mbush 14 vjet. Por, përtej lehtësisë së nënshkrimit e votimit, procesin e hartimit të saj, e përcollën shumë sfida.
Të pathënat e hartimit të kushtetutës janë të shumta, madje edhe gabimi i cilësuar si i tillë i një punonjësi të Kuvendit i cili kishte shtypur preambulën që propozoi anëtari Arsim Bajrami e të cilën e kundërshtuan ndërkombëtarët.
Përplasje kishte dhe në përdorimin e termeve që në dukje ishin shumë të thjeshta.
Për shkak të proceseve të ndryshme politike, më vonë rezulton se Kushtetuta e Kosovës ka nevojë të plotësohet e ndryshohet. Sidoqoftë, ajo mbetet si Kushtetuta më moderne në shumë drejtime, nga ato të vendeve të rajonit dhe më gjerë.























