Dita botërore, romët në Kosovë i gjen në pozitë të rëndë sociale e arsimore
BKT
Lajme

Dita botërore, romët në Kosovë i gjen në pozitë të rëndë sociale e arsimore

Venera Xhoxhaj - Adili

Jo të gjithë romët dinë për ditën botërore të tyre. Preokupim kryesor për ta është mbijetesa.

Punësimi i komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian, mbetet problem po aq sa arsimimi i tyre.

Puna që ata bëjnë shpesh, nuk u siguron të ardhura të mjaftueshme për të mbajtur familjen. Përfaqësues të komuniteteve në institucionet publike janë angazhuar që kjo situatë të ndryshojë.

Orët e mëngjesit për të riun Dashnim Berisha nisin në një ambient me plot mbeturina metali.

Derisa ndan me duar metalet në një nga pikat grumbulluese në Fushë Kosovë, Berisha mendon nëse do të mjaftohet që në fund të ditës të kthejë lodhjen në disa monedha të mjaftueshme për mbijetesë njëditëshe.

“Po punoj dhe është shumë vështirë por sa me bo idare marr pak pare tu da hekra”, ka thënë Berisha.

Njësoj si Dashnimi punojnë edhe qindra qytetarë të komuniteteve Rom, Ashkali e Egjiptian, të cilët ditë për ditë marrin metale nga mbeturinat gjithandej nëpër qytet.

“Këtu gjatë ditës vijnë qytetarë të komuniteteve dhe bijnë hekra që i kanë mbledh gjatë gjithë ditës”, ka thënë Asim Geri, pronar i deponisë së hekurit.

Të ngjashme janë punët që bëjnë komunitetet ndërkohë që integrimi i tyre në institucionet publike është shumë i ulët.

“Ne në Prizren kemi qenë 4 zyrtarë dhe dy kanë dal në pension dhe nuk janë zëvendësuar”, ka thënë Islam Elshani, zyrtar për të drejtat dhe integrimin e komuniteteve.

Edhe arsimimi mbetet sfidë për këta qytetarë të cilët nuk arrijnë të punësohen në mungesë shkollimi.

“Ende duhet të punohet shumë sepse vetëm me shkollim mund të arrijmë diçka dhe bëj apel te institucionet të kenë prioritet arsimimin për komunitetet”, ka shtuar Elshani.

Elbert Krasniqi, Ministër i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal të Republikës së Kosovës,(MAPL), thotë së kanë nënshkruar marrëveshje me MASHT për bursa për studentët e komunitetit”

Gjendja nuk pritet të ndryshojë shpejt, pavarësisht angazhimit që zyrtarët thonë se po e bëjnë.

“Po punojmë për të ndryshuar gjendjen por dihet se administrate është e ngarkuar dhe për të fut dikë në punë duhet pritur të lirohet një vend i punës. Edhe sipas ligjit, komunitetet janë serbe që
përmbushin ligjin për përfshirje të komuniteteve”, ka shtuar Krasniqi.

Shumë të rinj të komuniteteve Rom Ashkali e Egjiptian, për shkak të pamundësisë për të punuar, janë larguar jashtë vendit.


MË SHUME NGA Lajme