Në kuadër të forumit në Delphi, Kurti zhvilloi takime të shumta
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se siguria në Evropë dhe në rajon pas invazionit dhe agresionit rus si dhe intensifikimi i bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, mbizotëruan temat e takimeve që kishte gjatë tri ditëve të Forumit Ekonomik, në qytetin antik Delfi, në Greqi.
Në takimet e ndara me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, kryeministrin e Bullgarisë, Kiril Petkov dhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, thotë se diskutuan për avancimin e marrëdhënieve bilaterale dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik e tregtar mes vendeve.
Kurit ka shkruar në Facebook se në ditën e parë të Forumit u takua me kryetarin e Presidencës së Bosnjës, Shefik Xhaferoviq, me të cilin biseduan mbi mundësitë e forcimit dhe përparimit të bashkëpunimit ndërmjet vendeve tona, pavarësisht pengesave politike.
Kryeministri po ashtu tha se emisari amerikan, Gabriel Escobar, ia ka rikonfirmuar mbështetjen e SHBA-së për Kosovën, sovranitetin e integritetin e saj territorial dhe për aspiratat për integrime evropiane dhe euroatlantike.
Diskutime për ekonominë, por edhe ato politike është duke zhvilluar në Greqi, kryeministri Albin Kurti, në kuadër të forumit Delfi. Ministria e Jashtme e Greqisë njoftoi se kryeministri kosovar u prit në takim nga ministri i Punëve të Jashtme, Nikos Dendias, ku diskutuan për bashkëpunim ekonomik dhe zhvillimet në dialogun Prishtinë-Beograd.
Ndërsa ministria e Jashtme e Kosovës shkruan se në kuadër të diskutimeve për bashkëpunim ekonomik u theksua nevoja për të zgjeruar bashkëpunimin në shumë fusha në mes Kosovës dhe Greqisë.
Të premten, kryeministri Kurti mbajti edhe një diskutim në Forumin Ekonomik, ku shpjegoi se njohja e Greqisë do mund t’i sillte Kosovës edhe njohje të reja nga vendet e tjera.
Kurti shtoi se Rusia ka interesim për vazhdimin e luftës dhe e sheh si rrezik jo vetëm për Moldavinë dhe Gjeorgjinë, por edhe për Ballkanin perëndimor nëpërmjet Serbisë.
Në kuadër të takimeve, kryeministri takoi edhe homologun maqedonas, Dimitar Kovaçevski, me të cilin diskutuan për avancimin e marrëdhënieve të mira mes dy vendeve.
Një ditë më parë, Kurti pati takime dhe me emisarët amerikanë për Ballkanin, Gabriel Escobar dhe atë të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak./RTK























