Haradinaj: Ndarja e 100 eurove nuk e zgjidh problemin e qytetarëve
BKT
Lajme

Haradinaj: Ndarja e 100 eurove nuk e zgjidh problemin e qytetarëve

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se zotimi i Qeverisë Kurti për ndarjen e 100 eurove për punëtorët e sektorit publik, pensionistët dhe studentë, nuk e zgjidh problemin e qytetarëve të Kosovës.

Ai në një konferencë për medie, ka thënë se kjo shumë është shumë e vogël krahasuar me dështimin për rritjen e ekonomisë dhe mosmiratimin e Ligjit të Pagave.

“Qeveria duhet të veprojë si qeveri e shtetit. Qytetarët kanë nevojë edhe për 1 euro, por nuk zgjidhet asnjë problem me masat që zgjasin vetëm 1 muaj. Është shumë e vogël shuma prej 100 euro që Albin Kurti të fshihet pas paaftësisë së tij për të rishikuar buxhetin që do të mundësonte zgjidhje të krizës financiare qytetare. Kjo shumë është e vogël që Kurti ta fshehë dështimin e tij mungesën e rritjes ekonomike dhe rritjen e pagave për të gjithë”, ka theksuar Haradinaj.

Krahas kërkesës për rritje të pagave, Haradinaj ka kërkuar që të largohet TVSH-ja për artikujt ushqimor dhe largimin e taksës për pagën nën 370 euro. “Qeveria duhet pa vonesë ta zbresë TVSH-në për artikujt ushqimorë, si dhe ta heqë taksën për pagën nën 370 euro”.

Haradinaj, po ashtu, kërkoi që sa më shpejt të kalojë Ligji për tërheqjen e një pjese të mjeteve nga Trusti, të paktën 15 për qind si dhe t’ua kthejë paratë e qytetarëve për faturat e fryra të energjisë.

“Qeveria e Kosovës po vepron në sistemin lëmoshë. Kërkesa jonë është ligji i pagave, rritja e pagave 33% dhe po ashtu rritja e pagës minimale neto 370 euro. Të punësuarit në Kosovë kanë nevojë për paga të dinjitetshme dhe të përhershme dhe qeveria e vendit duhet që urgjentisht t’i rris pagat për të gjitha kategoritë. Ne propozojmë që paga minimale të jetë 370 euro, pagat s’kanë lëviz, s’ka rritje të pagave me vite. Qeveria duhet që urgjentisht ta kalojë ligjin e pagave me rritje prej 33 për qind të pagave për të gjitha skemat pensionale”, ka nënvizuar lideri i AAK-së.


MË SHUME NGA Lajme