Ahmetaj takim me presidenten e BERZH-it, në fokus diversifikimi i energjisë
BKT
Shqipëri

Ahmetaj takim me presidenten e BERZH-it, në fokus diversifikimi i energjisë

Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, njëherësh ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, zhvilloi një takim me presidenten e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Odile Renaud-Basso.

Ahmetaj bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua për ecurinë e projekteve të BERZH-it në Shqipëri, të fokusuar në sektorë prioritarë si transporti, bujqësia dhe energjia.

Po ashtu, u diskutua rreth projekteve të reja me interes reciprok, kryesisht në favor të adresimit të nevojës dhe sfidës për diversifikimin e energjisë.

Një dit më parë u nënshkrua në Tiranë marrëveshja e huas për programin e BERZH-it për mbështetjen e agrobiznesit dhe turizmit me vlerë 100 milionë euro.

Përmes kësaj marrëveshjeje, BERZH-i vë në dispozicion një fond deri më 100 milionë euro për financim dhe për lehtësira për ndarjen e rrezikut, të cilat do të mundësojnë një investim shtesë prej 80 milionë eurosh nga institucionet financiare pjesëmarrëse.

Nga ana e saj, qeveria shqiptare vendosi në dispozicion deri në 36 milionë euro për të mbështetur këtë program nëpërmjet mbulimit të riskut për humbjet e para në harkun kohor të 3 viteve.

Prej fillimi të programit në vitin 2016, më shumë se 6100 ndërmarrje të vogla e të mesme në fushën e agrobiznesit kanë përfituar kredi në vlerën 70 milionë euro./atsh

 


MË SHUME NGA Shqipëri