Xhaçka: Nëse BE tregon përkushtim si për Ukrainën, Ballkani nuk rrezikohet
Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka tha se izolimi i Ballkanit Perëndimor është kosto e lartë për Bashkimin Europian. Ajo e lidhi ecurinë e eurointegrimit me ngjarjet në Ukrainë, duke theksuar se ato janë "dëshmi se shqetësimet tona ishin të justifikuara".
Në seancën plenare të Kuvendit paraditen e kësaj të enjteje, ministrja Xhaçka u tha deputetëve se nëse "Bashkimi Europian tregon të njëjtën vendosmëri si me Ukrainën, Ballkani Perëndimor nuk do të jetë i prekshëm ndaj telasheve".
Në tërësi duke folur për raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit që gjeti shqetësime për gjyqësorin, korrupsionin, paligjshmërinë, ndikimin politik në Shqipëri, zonja Xhaçka tha se po shqyrtohet me kujdes çdo vërejtje, për të përmirësuar aspekte të qeverisjes, raporton korrespondenti i RTK-së Denion Ndrenika.
"Natyrisht, si qeveri na takon që ta lexojmë ndryshe këtë report sidomos për faktin që vjen nga aleati ynë strategjik Shtetet e Bashkuara në një moment kaq të rëndësishëm të marrëdhënieve tona, kur partneriteti ynë është duke u thelluar në çdo aspekt, çka padyshim, do nënkuptonte edhe një dialog të hapur e të sinqertë për performancën e Shqipërisë në fusha aq të rëndësishme sa të drejtat e njeriut apo sundimi i ligjit etj"-tha ajo.
Sipas ministres, vështirësitë e reformës madhore në Drejtësi tregojnë se duhet të adresojë problemet e mbledhura prej dekadash në shoqërinë shqiptare, sigurisht që do kohën e saj dhe nuk mund të bëjë çudira.























