VIDEO - Ekspertiza zvicerane për rrethanat e vdekjes së Astrit Deharit
BKT
Lajme

VIDEO - Ekspertiza zvicerane për rrethanat e vdekjes së Astrit Deharit

Leonora Berbatovci

Institucionet e drejtësisë në Kosovë, por edhe parti politike, janë përfshirë sërish në një debat për rrethanat e vdekjes së Astrit Deharit. Prokuroria Speciale e Kosovës publikoi 5 konkluzionet e ekspertizës së Institutit të Mjekësisë Ligjore të Lozanës. Megjithatë, ndaj publikimeve të kësaj prokurorie kanë reaguar Ministria e Drejtësisë e Lëvizja Vetëvendosje. Ndjekim kronikën në vazhdim.

Prokuroria Speciale e Kosovës doli sot me konkluzionet e plota sa i përket raportit të të ekspertizës të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, lidhur me rastin e Astrit Deharit. Në konkluzionin e parë thuhet se analizat e AND-së, të objekteve që kanë qenë në kontakt me të, janë përputhur plotësisht me viktimën.

Në pikën e dytë thuhet se nga ekzaminimi I fotografive të objekteve, kanë rezultuar se tentativat e reja për të gjetur gjurmë të gishtave në këto objekte nuk ishin relevante.

Pika e radhës e konkluzionit thotë se analizat toksikologjike të gjakut kanë treguar prani të një metabolitit të kafeinës dhe jo të etanolit.

Tutje thuhet se, nuk rekomandohen analiza plotësuese në fushën e gjenetikës, të daktiloskopisë dhe toksikologjisë.

Ndërsa në pikën e fundit të këtij konkluzioni thuhet se e vetmja mënyrë për të gjetur prova të mundshme do të ishte riaktivizimi i trupit pas zhvarrosjes, por kjo sipas raportit nuk është e rekomandueshme.

Publikimi i konkluzioneve nga ana e Prokurorisë Speciale vjen pas debateve dhe kritikave të ngritura ndaj një njoftimi të publikuar ditë më parë ku kjo prokurori njoftonte së ka pranuar ekspertizën e ku thuhej se nuk janë gjetur gjurmë të tjera të AND-së në objektet që kishin kontakt me viktimën.

Në një komunikatë për media, Ministria e Drejtësisë thotë se Prokuroria po manipulon duke publikuar konkludime të pjesshme të ekspertizës plotësuese të Institutit Zviceran. Në komunikatë thuhet se Astrit Dehari ka vdekur në duart e shtetit dhe se papërgjegjësia e organeve të shtetit ka prodhuar edhe këtë situatë të kobshme. Kjo ministri bën sërish të qartë që në mandatin e saj, përbrenda kompetencave që ka, do të ndërmarrë çdo hap, çdo veprim për të forcuar në njërën anë sistemin e drejtësisë dhe do t'i përgjigjet secilës kërkesë për drejtësinë e plotë për Astrit Deharin.

Ndërkohë Lëvizja Vetëvendosje duke komentuar komunikatën e Prokurorinë Speciale, thotë se ky institucion duke folur për ekspertizës plotësuese të Institutit zviceran, prej pesë pikave publikoi dy e mbuloi tri të tjera, gjë që sipas tyre, nuk është punë për drejtësi, por taktikë dhe strategji e padrejtësisë. Ndaj këtij raporti ka reaguar edhe ministri I brendshëm, Xhelal Sveçla sipas të cilit Prokuroria Speciale nxitoi për të alarmuar mbi raportin e ekspertizës së institutit zviceran për rastin e Deharit, duke publikuar vetëm dy konkluzione dhe jo pesë sa janë në raport.

Megjithatë në një reagim Prokuroria Speciale thotë se ia bën të qartë Ministrisë së Drejtësisë, por edhe opinionit të gjerë, se ata nuk kanë komentuar raportin por vetëm se kanë publikuar konkluzionet e raportit të ekspertizës të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, lidhur me rastin e Astrit Deharit. Kjo Prokurori thotë se pretendimet e Ministrisë së Drejtësisë janë tendencioze dhe dashakeqe e njëkohësisht edhe të paqëndrueshme, të cilat sipas tyre, kanë për qëllim dezinformimin dhe manipulimin e opinionit publik.


MË SHUME NGA Lajme