VIDEO - Ekspertët: Dëshmia e Dick Martyt tani është shumë e rëndësishme
BKT
Lajme

VIDEO - Ekspertët: Dëshmia e Dick Martyt tani është shumë e rëndësishme

Ish-raportuesi për Këshillin e Evropës, Dick Marty, tash e 16 muaj po jeton nën mbrojtje të lartë në Zvicër, për shkak të kërcënimeve që ka marrë. Kështu po raportojnë mediat zvicerane pas një hulumtimi, sipas të cilit, Marty u kërcënua me vdekje nga shërbime të inteligjencës serbe, që kishin për qëllim t’ia linin fajin Kosovës.

Lidhur me këtë, Hisen Berisha, në emisionin “RTK Prime”, tha se është befasi se si i ka shpëtuar  ai këtij plani serb. Shërbimi i fshehtë serb ka bërë më së shumëti vrasje të fshehta, atentate ndaj atyre që i ka konsideruar të rrezikshëm për ta.

“Serbia e Jugosllavia kanë qenë të njohura për aksione të tilla, por ka qenë vështirë të zbuloheshin, ndërsa tani është shumë ma lehtë të zbulohen. Kërcënimi i Marty-t në ditën kur po arrestoheshin liderët e luftës, nuk është e rastit, qëllimi ka qenë që ta vrasin dhe që ta fajësojnë palën shqiptare”, tha ai.

Berisha tha se është mirë që Dick Marty të sqaronte se pse po bëhet një veprim i tillë.

Ndërsa Artan Qerkini, avokat, tha se dëshmia e Dick Marty-t tani, në këto rrethana, është shumë e rëndësishme.

“Raporti i Dick Marty-t është juridiksion lëndor. Juridiksioni lëndor bazohet vetëm në raportin e tij... Bumerang është juridiksioni lëndor, ku mund të vërtetohet se potencialisht është e pasaktë, pra raporti i Dick Martyt është i pasaktë dhe prandaj është një veprim i tillë”, tha ai.

“Prokuroria zvicerane duhet ta kontrollojë këtë rast, nëse ka ndonjë motiv tjetër, përveç atij që dyshohet si kërcënim për vrasje nga ana shqiptare, apo e dikujt tjetër”, tha, pos tjerash, Qerkini.

Ai shtoi se Dick Marty ka obligim moral të dëshmojë se raporti i tij është i trilluar, ndonëse trafikimi i organeve nuk është pjesë e akuzës.

Edhe Fadil Kajtazi, ekspert i Sigurisë, në emisionin ”RTK Prime”, foli për metodat e zbatimit të vrasjeve të fshehta ndaj njerëzve, të cilët Serbia i ka konsideruar të rrezikshëm për shtetin e tyre.

Ndërsa u shfaq storja, ku paraqitej qartë tentimi i Serbisë për të blerë njerëzit për të dëshmuar rrejshëm ndaj krerëve të UÇK-së, Kajtazi u shpreh se lirimi i personave të arrestuar është lëshim. Ai që ka vendosur t'i lirojë ata, do të duhej arrestuar. Kjo, shton Kajtazi, është dëshmi për fuqinë e inteligjencës serbe këtu në Kosovë.

“Edhe më herët Serbia ka bërë aksione të tilla, më 1913, 1920, pastaj 1945, e kështu me radhë deri me tani. Gjithmonë ka inskenuar raste për acarim të situatës, për të paraqitur shqiptarët si destabilizues”, tha, pos tjerash, ai.

Ndryshe, raporti i Martyt i përpiluar në vitin 2010, të cilin e kishte prezantuar në Këshillin e Evropës, në të cilin kishte shkruar për siç tha ai, krimet e kryera nga UÇK-ja. Madje, ky raport ishte marrë për bazë që të themelohej Gjykata Speciale në Hagë, e cila po vazhdon proceset kundër ish-krerëve të UÇK-së.

 


MË SHUME NGA Lajme