Vazhdon rigjykimi ndaj Ferid Aganit e Gani Shabanit për rastin `Stenta1`
BKT
Lajme

Vazhdon rigjykimi ndaj Ferid Aganit e Gani Shabanit për rastin `Stenta1`

Ish-ministri Ferid Agani dhe ish-sekretari Gani Shabani do të ulen sërish sot në bankën e të akuzuarve ku ballafaqohen me akuza për korrupsion sa ishin në krye të Ministrisë së Shëndetësisë.

Aktakuza ndaj tyre ishte ngritur më shtator të 2015-ës, aktgjykimi ishte shpallur në prill të 2019-ës derisa kjo lëndë e njohur si “Stenta 1” ishte kthyer në rigjykim tetë muaj më vonë.

Seanca e fundit e mbajtur, më 1 prill, kishte dështuar shkaku se palët kishin kërkuar kohë për analizim të ekspertizës financiare. Seanca e tjetër ishte mbajtur më 8 mars, ku eksperti i prokurimit publik, Hasim Krasniqi ka thënë se Ministria e Shëndetësisë (MSH-ja) është dashur t’i mbikëqyrë mjetet e subvencioneve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ish-ministri i Shëndetësisë Ferid Agani dhe ish-sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë (MSH), Gani Shabani ishin shpallur fajtorë për keqpërdorim të pozitës zyrtare, në prill të vitit 2019. Agani ishte dënuar me dy vite e gjashtë muaj burgim, kurse Shabani me dy vite burgim. Por pas ankesave, ky aktgjykim ishte anuluar nga Gjykata e Apelit në dhjetor të vitit 2019 dhe lënda ishte kthyer në rigjykim në shkallë të parë.


MË SHUME NGA Lajme