PS do të këshillohet me opozitën, por jo me Berishën për presidentin e ri
Denion Ndrenika, RTK- Tiranë
Socialistët qeveritarë thanë në Tiranë se do të ecin përputhshmërisht me Kushtetutën që kërkon negociata për të zgjedhur Presidenin e ri të Republikës.
Taulant Balla kryetar i deputetëve socialistë megjithatë përjashtoi nga negociatat të njohurin nga gjykata e Tiranës si Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike opozitare që përfshin ish-kryeministrin Sali Berisha.
Zoti Balla tha në konferencë për gazetarë se negociatat do të thonë bisedime me të gjithë grupet e deputetëve dhe Komisioni i i Rithemelimit nuk e ka një të tillë.
Negociatat u paralajmëruan të fillojnë që nesër më 19 prill nga zoti Balla dhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Kuvendin, Elisa Spiropali, raporton korrespondenti i RTK-së.
"Kushtetuta parasheh konsultime brenda Kuvendit. Kandidati mbështetet nga firmat e 20 deputetëve. Nuk di që të ketë një grup parlamentar Komisioni i Rithemelimit me këtë emër në Republikën e Shqipërisë. Kështu që nuk e njoh”-tha ai.
Ministrja Spiropali shtoi se PS është “gati të flasë me ta atëherë kur të kenë përfaqësim në Kuvend”, ndërkohë që këshillimet pritet të kryhen brenda 29 prillit kur mblidhet edhe Konferenca e Kryetarëve të Kuvendit.
Socialistët sipas kryedeputetit të tyre Balla duan që procesi votues të nisë më 4 maj me synim përfundimin në 24 maj për pasardhësin e presidentit Ilir Meta që lë detyrën në 24 korrik.
Grupet e deputetëve përfaqësohen nga Enkelejd Alibeaj i Partisë Demokratike, Mesila Doda nga “Demokraci dhe Integrim” dhe Fatmir “Aleanca për Ndryshim”.
Këta grupe deputetësh zoti Balla tha se “ftohen në një takim paraprak në zyrat e Kuvendit të Shqipërisë me qëllim që të nisim të vendosim parimet kryesore të një dialogu konstruktiv mes 4 grupeve parlamentare”.























