Sali Berisha heq dorë nga mëditja si deputet
Denion Ndrenika, RTK- Tiranë
Ish-kryeministri Sali Berisha njoftoi se do të heqë dorë nga përfitimi i mëditjes në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë.
Berisha u zgjodh deputet nga Partia Demokratike opozitare dhe u përjashtua nga grupi i saj kuvendar më 9 shtator 2021 me vendim të kryetarit të dorëhequr Lulzim Basha pasi u shpall “I Padëshiruar” nga SHBA.
Ish-kryeministri shkruajti në fejsbuk se ka pranuar në xhirollogarinë e tij një shumë monetare nga Kuvendi i Shqipërisë, por theksoi se nuk ka pasur asnjë dijeni.
Kësisoj, ai i kërkoi Kuvendit që t’i tërheqë paratë nga llogaria e tij bankare ku i ka derdhur, raportoi korrespondenti i RTK-së.
“Sot nga mediat mësova se në llogarinë time bankare parlamenti ka derdhur për muajin shkurt dieta për mua si dhe për 93 deputetë të tjerë shumën prej 75250 lekë dieta”-shkruan Berisha.
Më tej ai deklaron se “unë nuk kam patur asnjë dijeni për këto dieta”, se “i kërkoj parlamentit t’i tërheqë ato nga llogaria ime bankare ku i ka derdhur”, se “unë jam deputet i Qarkut të Tiranës dhe si i tillë nuk do të pranoj asnjë dietë deri në fund të mandatit” dhe se “lëvizjet e mia jashtë Qarkut të Tiranës do t’i përballoj me të ardhurat e mia”.























