Krasniqi: Hetimi parlamentar është e drejtë kushtetuese
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë sot në konferencë për media se është hera e parë në historinë parlamentare të Republikës së Kosovës që pushteti i shumicës, shkel të drejtën e pakontestueshme për hetim parlamentar, si një e drejtë kushtetuese për të mbikëqyrur punën e Qeverisë dhe institucioneve nga ana e Kuvendit të Kosovës.
Krasniqi tha se bllokimi nga ana e shumicës parlamentare për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike është shkelje brutale e ligjit dhe Kushtetutës së Kosovës.
Ai tha se Kryeministri Kurti, përmes deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, për herë të dytë sot, e bllokoi miratimin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me krizën energjetike në vend, duke shkelur haptas ligjin dhe Kushtetutën.
Kryetari i PDK-së konsideron se kjo nuk është vetëm përpjekje për fshehje të së vërtetës, por edhe precedent i rrezikshëm ndaj demokracisë dhe sundimit të ligjit, andaj PDK do të përdorë çdo mjet demokratik për ta zbardhur të vërtetën lidhur me keqpërdorimet e bëra në periudhën e krizës energjetike.
"Këta kanë ditë të rrënojnë çdo parim të tyre si Lëvizje Vetëvendosje, por nuk do t'i lejojmë të rrënojnë edhe parimet e demokracisë së shtetit tonë. Hetimi parlamentar është e drejtë ligjore dhe kushtetuese që ju takon deputetëve. Pushteti i sotëm i Albin Kurtit këtë proces edhe mund ta vonojnë, por nuk do të mund ta ndalojnë. Le të jenë të bindur të gjithë se ky hetim do të ndodhë dhe veprat penale që kanë mundur të kryhen në lidhje me çështjet që jane subjekt i kërkesës për hetim parlamentar, jo vetëm që nuk do t'i heshtim, por do të përdorim çdo mjet demokratik për ta nxjerrë të vërtetën në shesh dhe për t'i dërguar të gjithë përgjegjësit aty ku e kanë vendin.", tha Krasniqi.
“PDK nuk do të votoj në asnjë seancë, për asnjë pikë të rendit të ditës, dhe për asnjë ligj që do të vijë në kuvendin e Kosovës”, ka thënë Krasniqi. /V.TH























