PDK-ja konstituon Komisionin për Organizim në Mërgatë
Departamenti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për Çështje të Diasporës do ta vazhdojë angazhimin e vetë tashmë si grup i ristrukturuar dhe i riemërtuar si Komisioni për Organizimin e PDK-së në Mërgatë, kështu ka njoftuar deputeti i kësaj partie Elmi Reçica.
Ai në rrjetin social, Facebook, ka thënë se ky ndryshim ka ndodhur me vendimin e fundit të mbledhjes së kryesisë së PDK-së. Sipas tij kjo i jep fokus të veçantë krijimit të strukturave të përhershme të PDK-së në Mërgatë, e si rrjedhim edhe rikthimit të madh të Partisë Demokratike të Kosovës tek të rinjtë, vajzat dhe gratë si dhe tek veprimtarët tanë kombëtarë dhe politikë jashtë vendit.
“Sot mbajtëm takimin e parë konstituiv si Komision, ku diskutuam për procesin që po zhvillohet me qëllim të përshpejtimit të organizimit të strukturës së PDK-së në Mërgatë. Për këtë qëllim morëm vendim të përbashkët dhe caktuam Këshillin për Organizimin e Kuvendit Zgjedhor të PDK-së për degën e Bavarisë, i cili do të përbëhet nga 15 anëtarë dhe do ta udhëheqë veprimtari dhe humanisti i shquar, biznesmeni i suksesshëm, Isak Neziri”, shkruan Reçica.























