56 kg marihuanë të sekuestruar e 5 të arrestuar
BKT
Foto: Policia e Kosovës
Lajme

56 kg marihuanë të sekuestruar e 5 të arrestuar

Policia e Kosovës, pas operacionit të djeshëm të realizuar në Mitrovicë e veri të vendit, ku arrestoi katër persona dhe ishte shkatërruar një laborator për kultivim të drogës, një operacion të ngjashëm e realizoi edhe sot në orët e hershme të mëngjesit. Në rajonin e Mitrovicës Jugu dhe në Fushë Kosovë, policia arrestoi pesë persona të dyshuar dhe konfiskoi mbi 56 kg substanca narkotike të llojit marihuanë.

Emine Hoti / RTKlive.com

Të arrestuarit dyshohet se bashkëvepronin dhe trafikonin narkotikë, nga Shqipëria në Kosovë dhe pastaj jashtë vendit.

Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve policore fillimisht në lagjen Uglar të Fushë Kosovës është identifikuar i dyshuari (transportieri) i parë (S.B,) i cili drejtonte një veturë të tipit

Mercedes, me të cilën transportonte substancën narkotike të fshehur në bunkerin e modifikuar të veturës.

Më pastaj përmes Pikës Kufitare Vërmicë ka hyrë edhe i dyshuari i dytë (B.R,) me veturën e tij po ashtu të tipit Mercedes, i cili ka vazhduar në drejtim të Mitrovicës Jugu ku e priste personi i tretë (N.M,), me të cilin kanë vazhduar në shtëpinë/garazhin e të dyshuarit e cila gjendej në fshatin Vaganicë. Të dyshuarit janë arrestuar në flagrancë.

Gjatë  kontrollit të automjetit të dytë dhe të tretit i cili gjendej në garazh, janë zbuluar po ashtu bunker të modifikuar. Si vazhdimësi e kontrollit dhe bastisjes së automjeteve (të tria të tipit mercedes), dy prej tyre me targa të Shqipërisë, një me targa vendore si dhe bastisjes së shtëpisë, janë arrestuar edhe personi i katërt dhe i pestë, të dy me inicialet (A.M,).

Prandaj policia ka konfiskuar 56 kg 81 gr substancë e dyshuar narkotike e llojit Marihuanë, 3 vetura të tipit Mercedes (dy me targa te Shqipërisë një me targa vendore, që të tria me bunker të modifikuar në të njëjtën mënyrë), 7  telefona celular, 10,507 euro si dhe disa monedha Lek te Shqipërisë dhe Dinar te Serbisë.

Me vendim mbi ndalimin e personave, katër të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit mbi dyshimin e bazuar për përfshirje në veprën penale “Blerja, posedimi shitja e paautorizuar e substancave narkotike psikotropike dhe analoge”, ndërsa i dyshuari i fundit vazhdon në procedurë të rregullt.

 

 

 


MË SHUME NGA Lajme