Rama: Duam t’i japim Shqipërisë një President përtej PS-së
BKT
Shqipëri

Rama: Duam t’i japim Shqipërisë një President përtej PS-së

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Kuvend se “qëllimi i konsultimeve për zgjedhjen e Presidentit nuk është të bëjmë një zgjedhje unilaterale, por realisht duam t’i japim Shqipërisë një President përfaqësues përtej Partisë Socialiste”.

Gjatë fjalës në Kuvend, Rama iu drejtua deputetëve të opozitës, ndërsa sqaroi procesin që po kryhet brenda PS-së për propozimin e kandidaturave për President.

“Mos i qani hallin as zarfave, as sekreteve, as mënyrës se si funksionon PS, sepse procesi që ne kemi ndërtuar është për të marrë maksimumin e propozimeve. E dyta është për të mos marrë nëpër gojë njerëz dhe për të mos e bërë një seri tjetër të telenovelës ku merreshin njerëz nëpër gojë”, tha Rama.

Kryeministri tha se “ne do ta vazhdojmë procesin me një diskutim të brendshëm në kryesinë e partisë dhe pastaj të flasim dhe me ata që janë propozuar pa u pyetur fare, se jo të gjithë duan të bëhen President”.

“Ju mund të vazhdoni të na e qani hallin, nuk ka asnjë problem. Ne jemi në kalë ju vazhdoni na qani hallin ne. Por ky proces nuk pret se është kohë e shkurtër. Një konsultim i parë është bërë, duhen bërë edhe konsultimet e tjera. Ju them sot se qëllimi nuk është absolutisht që ne të bëjmë një zgjedhje unilaterale dhe të zgjedhim një President nga grupi ynë parlamentar, sepse nëse do të kishim këtë qëllim, do ta bënim”, tha Rama.

Por, vijoi ai, “ne duam realisht t’i japim Shqipërisë një President, i cili të jetë përfaqësues përtej Partisë Socialiste, i cili të garantojë disa cilësi të thjeshta që sot për fat të keq janë bërë të domosdoshme dhe të jashtëzakonshme po të kemi parasysh se kë kemi akoma në zyrën e Presidentit të Republikës”.

“Në fund fare duam të jetë një shqiptar normal. Kjo është ajo që duam. Nëse ju do të kontribuoni dhe do të na ndihmoni të shkojmë drejt kësaj zgjedhje, të jeni të sigurt se po të biem bashkërisht dakord për një person që i përfaqëson këto cilësi, ne do të votojmë, nuk do të kemi asnjë lloj kompleksi se na e propozoi pjesa tjetër që është këtu në Kuvend. Ndërsa nëse del nga goja e të vdekurit (Sali Berisha), nuk merret parasysh”, tha Rama.

Ai tha se PS ka qenë gjithmonë partia që ka lëshuar më shumë, që është përpjekur më shumë të gjejë dakordësi.

Rama u shpreh se, “sot ne jemi përpara një procesi tjetër dhe megjithë vështirësinë shumë të madhe që na është krijuar për shkak të situatës tuaj, gjithsesi ne kemi ngritur një përfaqësi të përbërë nga Kryetari i grupit tonë parlamentar, nga Sekretari i Përgjithshëm, nga ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, për të komunikuar me të gjithë pjesët e këtij Kuvendi”.

“Dhe kur themi me të gjitha pjesët, në radhë të parë kemi parasysh grupet parlamentare, natyrisht, se ka dhe pjesë këtu që nuk kanë as grup parlamentar. por kanë kandidat edhe ata, por ata e kanë humbur të drejtën të zgjedhin Presidentin, se e provuam njëherë me ta dhe e pamë çfarë Presidenti del kur i zgjedh prej tyre”, tha Rama.

“Kështu që do të bëjmë këtë përpjekje, jo se jemi të detyruar nga ndonjë pamundësi, por sepse këta jemi ne.

Dhe për hir të vërtetës kjo është ADN-ja e PS-së, qysh në krye të herës. Po të shikosh të gjithë historinë e marrëdhënieve politike ndërpartiake, të këtyre 30 vjetëve do të shohësh pa shumë mundim se PS ka qenë gjithmonë partia që ka lëshuar më shumë, që është përpjekur më shumë të gjejë dakordësi. Që asnjë herë nuk e ka konsideruar të pasurit e forcës së pushtetit si një atu për të nëpërkëmbur deri në fund kundërshtari. Dhe këtu kam parasysh faktet. Kam parasysh aktet. Kam parasysh ndërveprimet reale, konkrete. Nuk kam parasysh retorikën e Foltores”, theksoi Rama.

“Dhe përsëri ne do ta bëjmë këtë përpjekje, sepse e kemi detyrim ndaj vetes në radhë të parë. E kemi detyrim ndaj njerëzve që na kanë zgjedhur, por edhe atyre që nuk na kanë zgjedhur. E kemi detyrim ndaj vendit, që t’i japim mundësisht një President, i cili nuk duhet të jetë njëri nga ne që jemi këtu. Nga ju jo e jo kuptohet, por as nga ne që jemi këtu. Dhe patjetër kemi dhe një detyrim që sidoqoftë, pavarësisht se në këtë derexhe ku jeni katandisur, jeni katandisur dhe do shkoni më keq. Se juve e keni parë që mua më dalin fjalët. Do shkoni më keq po prisni. më keq do shkoni. Kjo është çështja juaj, nuk është e jona”, u shpreh Rama./atsh


MË SHUME NGA Shqipëri