BB e Kosova nënshkruajnë marrëveshje prej 50.6 milionë euro
Ministri i Financave i Republikës së Kosovës, Hekuran Murati, dhe Zëvendëspresidentja e Bankës Botërore për Evropë dhe Azi Qendrore, Anna Bjerde, nënshkruan sot Marrëveshjen për Financim për Operacionin e Financimit të Politikave Zhvillimore (angl. DPF) për Financa Publike dhe Rritje të Qëndrueshme.
Sipas një njoftimi të Ministrisë së Financave, ky financim, në shumën prej 50.6 milionë euro (ekuivalente me 56.4 milionë dollarë) mbështet prioritete të përzgjedhura shtetërore për periudhën 2021-2025, duke përfshirë reforma për të mbështetur transparencën fiskale, zhvillimin e sektorit privat, dhe forcimin e qëndrueshmërisë mjedisore në vazhdën e krizës së COVID-19.
“Kosova ka nevojë për rritje më të shpejtë dhe më të qëndrueshme, që krijon vende pune dhe nxitet nga produktiviteti më i lartë, dhe reformat e mbështetura nga ky operacion do ta mbështesin Kosovën në përforcimin e rimëkëmbjes pas COVID-19 dhe përmirësimin e jetës së njerëzve të saj”, tha Anna Bjerde, Zëvendëspresidente e Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, thuhet në njoftim.
Ndryshe, ekonomia e Kosovës përjetoi një rimëkëmbje të fuqishme në vitin 2021, mbështetur nga rikthimi i kërkesës së brendshme dhe rritja rekorde e eksporteve, edhe pse rritja pritet të ngadalësohet këtë vit. Në këtë kontekst, mekanizmi DPF do të mbështesë masat që synojnë përmirësimin e transparencës fiskale dhe rritjen e qëndrueshmërisë fiskale në periudhë afatmesme, në funksion të përpjekjeve të Qeverisë për adresimin e boshllëqeve të konsiderueshme zhvillimore dhe promovimin e uljes më të shpejtë të varfërisë. /F.S























