Fundjave e ‘nxehtë’, ‘luftohet’ për titull, Evropë dhe mbijetesë
BKT
Sport

Fundjave e ‘nxehtë’, ‘luftohet’ për titull, Evropë dhe mbijetesë

Fatmir Bytyqi /RTKlive.com

Skuadrat elitare rikthehen në aksion këtë vikend me ndeshjet e javës së 30-të.

Tashmë garat e këtij sezoni, kanë hyrë në fazën përfundimtare, dhe se çdo ndeshje është e rëndësishme për secilën skuadër pasi që po ‘luftohet’ në tri frontet, titulli i kampionit, dalja në Evropë dhe mbijetesa në Superligë.

Ndonëse gara për titull thuaj se është e qarte me Ballkanin që është afër të shkruajë historinë e klubit nga Suhareka, megjithatë, interesant po bëhet gara për vendet që çojnë në Evropë si dhe gara për mbijetesë.

Xhiroja e 30-të do të nis nesër ku do të luhen tri ndeshje. Spikat dueli Drita-Malisheva, derisa Ballkani luan në udhëtim tek Ulpiana. Skuadra e Ilir Dajës edhe në duel me Ulpianën synon pikët e plota në mënyrë që të bëjë edhe hap më afër titullit të kampionit, derisa Ulpiana thuaj se tashmë është në një rang më të ulët garash.

Llapi i Tahir Batatinës kërkon pikët maksimale në udhëtim tek Feronikeli. Llapjanët janë në garë për të siguruar një vend që çon në Evropë, kurse, Feronikeli tashmë është ‘dorëzuar’ në garën e mbijetesës.

E diela e ‘nxehtë’

E ‘nxehtë’ parashikohet të jetë edhe e diela pasdite. Sfida kryesore do të luhet në Klinë, ku Dukagjini e pret Gjilanin. Klinasit synojnë rezultat pozitiv në garën për të t’i ikur zonës së barazhit, derisa Gjilani i Ismet Munishit akoma shpreson në garën për kreun e tabelës.

Interesant pritet të jetë edhe dueli në Skenderaj mes dy rivalëve të vjetër, Drenicës dhe Prishtinës, skuadra këto që synojnë t’i ikin sa më parë zonës së barazhit.

Të gjitha ndeshjet e javës së 30-të transmetohen live në Radio Kosova.

Superliga /Java e 30-të

Të shtunën takohen:

Drita-Malisheva

Ulpiana-Ballkani

Feronikeli-Llapi

Të dielën takohen:

Dukagjini-Gjilani

Prishtina-Drenica

Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 14:00, përveç sfidës Dukagjini-Gjilani që nis në orën 13:30.