Letonia përkrah Kosovës për vizat, sigurinë e integrimet
Blerim Halimi / RTKlive.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Kosova dhe Letonia do të ndërtojnë bashkëpunim të ngushtë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, por edhe në fusha tjera në dobi të dy popujve.
Në konferencën e përbashkët me media me presidentin e Letonisë, Egils Levits, presidentja e vendit ka thënë se kjo vizitë e presidentit leton po ndodhë në një kohë kur kontinenti evropian po ballafaqohet me një realitet të trishtë dhe kur Ukraina po ballafaqohet me një luftë të tmerrshme të nisur nga Rusia.
“Jam e bindur se si dy partnerë dhe vende mike ne do të vazhdojmë të kontribuojmë për ta mbështetur paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë. Si dy vende paqedashëse dhe demokratike ne ballafaqohemi me sfida të ngjashme, por fatmirësisht ndajmë edhe të njëjtat synime dhe të njëjtin përkushtim për të ndërtuar një kontinennt evropian më paqësor, më të bashkuar e më të sigurtë. Kërcënimet që vijnë nga Rusia janë të shumta dhe janë serioze. Prandaj, Letonia dhe Kosova si vende që kanë jetuar me dekada të shumta me probleme të mëdha për shkak të fqinjve tanë, kemi paralajmëruar prej kohësh për pasojat e veprimeve dhe ambicieve të njerëzve si Putini dhe bashkëpunëtorëve e tyre në vendet që janë satelitë të Rusisë e që nuk janë sfiduar për një kohë të gjatë“, ka thënë presidentja Osmani.
Ajo ka thënë se do të vazhdojnë ta ngrejnë zërin për sfidat dhe kërcënimet që Rusia dhje satelitët e saj vazhdojnë t’i paraqesin për vendet tona, derisa e rikonfirmoi mbështetjen e Republikës së Kosovës për popullin dhe shtetësinë e Ukrainës, si dhe mbështetjen për Letoninë dhe vendet tjera mike baltike, të cilat vazhdojnë të kërcënohen nga një fqinj agresivë.
Osmani po ashtu ka kërkuar mbështetjen e presidentin leton në rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit EuroAtlantik.
“Këto Aleanca duhet t’i kenë gjithnjë dyert e hapura për shtetet si Republika e Kosovës, duke treguar përkushtimin dhe plotësimin e kritereve për të qenë pjesë e tyre. Jam e bindur se me qëndrueshmërinë e Kosovës si dhe me vendosmërinë tonë për të përforcuar demokracinë dhe lirinë, së bashku do t'i sfidojmë seriozisht kërcënimet që na vijnë nga Rusia dhe aleati i saj Serbia, e të cilat paraqesin rrezik real për rajonet tona dhe përtej”, ka nënvizuar Osmani.
Osmani: Serbia bllokuese e dialogut
E pyetur rreth dështimit të marrëeveshjes për targat në dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel, presidentja Osmani ka thënë se pala e Kosovës është shumë konstruktive në dialog, por bllokadën është duke e bërë pala serbe.
“Republika e Kosovës ka dhënë maksimumin si një palë konstruktive në dialog që të arrihet një marrëveshje ashtu siç ka kërkuar edhe BE-ja por ne nuk mund të marrim përgjegjësi për bllokadën që po shkakton pala serbe. Ajo çka mund t’ju siguroj është që Kosova do të jetë palë konstruktive dhe do të vazhdojë të jetë palë që respekton parimet dhe standardet më të larta evropiane, ndërkaq se si do të sillet Serbia varet nga ata, por fatkeqësisht sjellja e tyre e deritanishme vetëm e ka bllokuar progresin në dialog”, është shprehur Osmani.
Në anën tjetër, presidenti leton, Egils Levits, i ka ofruar mbështetje Kosovës në të gjitha segmentet, derisa ka thënë se as Kosova dhe as Letonia nuk kanë ndonjë armik, por thjesht po e mbrojnë pavarësinë e tyre.
“Letonia dhe Kosova janë miq shumë të afërt dhe ndajmë histori shumë të ngjashme. Ne si shtete demokratike nuk e kemi e kemi askënd armik por vetëm jemi duke e mbrojtur pavarësinë tonë. Ne i kuptojmë aspiratat e Kosovës që të jetë një shtet shumë miqësor dhe demokratik. Kemi bashkëpunim shumë të mirë dhe mendojmë se do ta fuqizojmë edhe më shumë bashkëpunimin edhe në fushën ushtarake”, ka thënë Levits.
Ai tutje ka thënë se situata e tanishme në Evropë ka ndryshuar pas agresonit brutal rus kundër Ukrainës dhe si e tillë edhe veprimet e BE-së dhe NATO-s duhet të bazohen në situatën aktuale.
“Artitektura e sigurisë së Evropës duhet të ripërtrihet dhe të bazohet në realitet. Ne ballafaqohemi me një agresitivitet të Rusisë, andaj BE dhe NATO duhet t’i bazojnë konceptetet e tyre në realitetin e kohës. Është e nevojshme që Kosova t’i bashkohet partneritetit për paqe. Është koha e duhur për t’u bërë kjo, por është NATO ajo që vendosë për këtë. Letonia është duke e përkrahur Kosovën në këtë drejtim”, ka thënë presidenti leton.
Levits: Kosova e meriton e liberalizimin e vizave
Ai po ashtu tha se është e domosdoshme që Kosova të integrohet në organizata të ndryshme ndërkombëtare, parasegjithash në Këshillin e Evropës.
“Këshilli i Evropës është organizatë e shteteve demokratike që bazohen në sundimin e ligjit dhe Kosova i përket kësaj familje sepse është një shtet demokratik që bazohet në sundim të ligjit dhe ne do të mirëpritnim aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Ne, po ashtu mund të shkëmbejmë përvojat tona për të gjetur rrugën drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Mendoj se edhe procedura është po ajo e para 27 vjetëve dhe unë e pres Kosovën si anëtare të Këshillit të Evropës”, ka shtuar Levtis.
Ai ka shprehur mbështetjen e Letonisë për Kosovën edhe sa i përket liberalizimit të vizave, teksa ka vlerësuar se tashmë nuk ka pengesa të arsyeshme që të mos jepet liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës.
Në fund, ai ka çmuar progresin e Kosovës përgjatë vitit të fundit në luftimin e korrupsionit, derisa sa i përket dialogut Kosovë-Serbi ka shprehur shpresën për progres, por ka thënë se edhe nëse nuk ka ndonjë përparim atëherë do të ketë rrugë alternative për integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
“Dialogu Kosovë - Serbi është i rëndësishëm por edhe nëse s’ka progres prapë ka mënyra të tjera se si Kosova do të mund të integrohej në kornizat evropiane. Kosova i përket Evropës dhe ne shpresojmë se së bashku do ta përfundojmë një integrim të plotë në forumet dhe organizatat ndërkombëtare”, ka nënvizuar Levits.
Vizita e presidentit Levits është e para e një niveli të tillë nga shteti ynë mik Letonia. Ai gjatë vizitës në Kosovë do të takohet edhe me kryeministrin, Albin Kurti, kryeparlamentarin Glauk Konjufca, me komandatin e KFOR-it, Gjeneral major Ferenc Kajari, si dhe do të vizitojë trupat e Letonisë që shërbejnë në Kosovë në kuadër të KFOR-it.























