Në Zllash pati të plagosur e jo të ndaluar
BKT
Lajme

Në Zllash pati të plagosur e jo të ndaluar

Valbona Thaçi /RTKLive.com

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, vazhdon gjykimi ndaj ish eprorit të UÇK-së, Salih Mustafa. Në pjesën e dytë të ditës së premte, ishte dëshmitari i trembëdhjetë i mbrojtjes, Muhamet Ajeti, ai që dha dëshminë e tij rreth ngjarjeve ne fshatin Zllash të Prishtinës, në periudhën e luftës kur filluan bombardimet e NATO-s.

Muhamet Ajeti deklaroi se i kujtohet kur në vitin 1999 forcat e NATO-s kanë filluar bombardimin në Kosovë dhe se kjo ka ndodhur me 24 mars. Ai tha se në atë kohë qëndronte në shtëpinë e tij në Prishtinë.

“Kur ka bombarduar NATO, kam qëndruar në shtëpinë time në Prishtinë. Në  momentin kur kanë filluar bombardimet ka pas ndryshim. Kemi shfaqur gëzim në familjen time”, kujtoi ai.

“Të nesërmen kanë filluar ndryshimet tjera. Ndryshimi u vërejt se filluan forcat serbe të lëvizin më shumë, popullata tani filloi të shqetësohet. Fillimisht ishte gëzim, tani filloi hidhërim sepse ia nisën forcat serbe me lëviz. Ia nisi popullata t’i lëshojë  shtëpitë, ato ditët e para”, tha Ajeti.

Dëshmitari tregoi se ditët e para nuk ka mundur të vërejë shumë që janë larguar, por veçse kishin filluar njerëzit të largohen, ndërkaq, më vonë ka filluar dëbimi i dhunshëm nga shtëpitë.

“Në ditët e para nuk kam mundur të vërej  shumë, vetëm disa largoheshin nëpër fshatra. Pastaj ka filluar dëbimi i dhunshëm, kryesisht qytetarët e Prishtinës shkonin nga Gollaku”, tha ai.

Arsye e shkuarjes në Gollak, ai tha se ishte frika pasi forcat serbe filluan t’i dëbonin, t’i rrihnin, dhe nuk ka qenë e mundur të shkohet në zona tjera. Ai tha se Gollaku ka qenë me afër Prishtinës dhe ishte zonë më e lirë.

Ajeti konfirmoi se ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ku ishte kyçur në fund të qershorit apo fillim korrikut të vitit 1998 në Shalë të Bajgores.

Ai tha se  Zllashi ishte pjesë e zonës operative të Llapit, ku tha se kanë shkuar me disa ushtarë të tjerë, në një numër prej 10 apo 15 personash.

Gjatë gjithë seancës dhe të gjitha pyetjeve të avokatit Julius von Bone, dëshmitari Muhamet Ajeti, ka vazhduar t’u përgjigjet në të gjitha  detajet e zhvillimeve në Zllash dhe aktivitetit të tij si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e sidomos rreth dy shtëpive dhe veprimtaritë që bëheshin ne to, e që ishin ballë për ballë në një oborr.

“Sigurisht kanë fjetur ushtarët edhe popullata para ofensivës, por në dhjetor këto kanë qenë të pabanueshme, pa gëlqere. Kur kam ardhur e kam parë që janë gëlqerosë. Kjo më kujtohet që u shndërrua si spital. Të  plagosurit të gjithë kanë ardhur këtu”, tha  ai.

Ai u shpreh se nuk e di kur është shndërruar si  spital, por e di se me 20 prill kanë shkuar aty, ku ka qenë edhe drejtoreshë Teuta e të tjerë.

Dëshmitari Ajeti bëri të ditur se nuk kanë parë roje në këtë vend dhe shtoi se nuk ka parë njerëz të ndaluar në aty.

Ai tha se e njeh Rrahman Dinin, për të të cilin tha se e kishte parë edhe në dhjetor të vitit 1998, ku kishin qëndruar më gjatë bashkë.

“Në prill 1999 e kam parë më shumë gjatë ditës Dinin, e nuk me kujtohet ku ka fjetur”, th ai.

Ajeti konfirmoi se e njeh Agron Xhemajlin që ishte pjesëtar i UÇK-së, e që e kishte takuar në dhjetor të vitit 1998. Ai tha se beson se e ka takuar të njëjtin edhe gjatë prillit të vitit 1999, por se vendi nuk i kujtohet saktë.

Tutje, dëshmitari tha se e njeh të akuzuarin Salih Mustafa prej gjysmës së tetorit të 98-ës

 “E njoh normal, atë kohë (1998) e kam njohur si Cali, jo si Salih Mustafa”, tha dëshmitari Ajeti.

Lidhur me prillin e vitit 1999, ai tha se nuk e ka parë në Zllash të njëjtin gjatë kësaj periudhe.

I pyetur për njësitin BIA, dëshmitari tha se ka dëgjuar për të njëjtën dhe se ishte guerilë e qytetit, që ka vepruar në kryeqytet, dhe shtoi se në një periudhë ka qenë anëtar i këtij njësiti.

Ai shtoi se pjesë e këtij njësiti mendon se ka qenë nga tetori ’98,  kur ishte takuar në Prishtinë me Salih Mustafën e shokë të tjerë.

“Furnizimin me shumë gjëra, barna, veshmbathje, që i kanë dërguar në pjesë të Llapit e Gollakut e bënte BIA”, tha ai.

Procesi ndaj të akuzuarit Salih Mustafa, pritet të vazhdojë me dëshmitarë të tjerë.

 

 

 


MË SHUME NGA Lajme