PS: Me fillimin e bisedimeve të anëtarësimit, BE do dëshmojë unitetin
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla përshëndeti sot miratimin nga Komisioni i Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian me 66 vota pro, 4 kundër dhe 3 abstenime, të Raportit për Shqipërinë.
Balla falënderoi hartuesen e këtij raporti, anëtaren e Parlamentit Europian, Isabel Santos, për arritjen e një konsensusi kaq të gjerë në votimin në Komitetin e Punëve të Jashtme.
Sipas Ballës, me fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, vendet anëtare të BE do të dëshmojnë unitetin evropian, duke pranuar rëndësinë e implikimeve gjeopolitike dhe përmbushjen e kritereve të zgjerimit.
Balla shtoi se raporti vlerëson progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE në vitin 2021, ndërsa eurodeputetët anëtarë të Komitetit të Punëve të Jashtme vlerësojnë orientimin strategjik dhe angazhimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj integrimit evropian dhe shprehin mbështetjen e tyre të qartë për transformimin demokratik të vendit dhe aspiratën për anëtarësim në BE.
“Parlamenti Europian ‘shpreh keqardhje për dështimin e hapjes së negociatave të vonuara të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut; thekson solidaritetin dhe simpatinë e tij të plotë me qytetarët e vendeve dhe e konsideron këtë dështim që minon qëndrimin e publikut ndaj BE-së, një rrezik serioz për politikën e zgjerimit në tërësi, duke dëmtuar reputacionin e BE-së si një partner i besueshëm dhe aktor serioz gjeopolitik’”, tha Balla.
Balla informoi se Parlamenti Europian i kërkon “Këshillit të ruajë besueshmërinë e integrimit evropian duke hapur menjëherë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, siç rekomandohet vazhdimisht nga Komisioni, duke qenë se të dyja vendet kanë përmbushur kushtet e vendosura nga Këshilli Evropian dhe kanë dhënë rezultate të qëndrueshme në të gjitha fushat themelore; u bën thirrje vendeve anëtare të dëshmojnë angazhim të plotë politik ndaj zgjerimit dhe t’i japin një shtysë të besueshme përpjekjeve reformuese të vendeve të tjera të zgjerimit duke hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”./atsh























