Kapet qeni që sulmoi mjekët në QKUK, Rama: Nuk ishte i trajtuar
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se “është kapur” qeni që sulmoi të enjten tre mjekë në QKUK.
Ai tha se qeni nuk ishte i trajtuar me procedurat e nevojshme.
“Më vjen keq për rastin e kohës së fundit me mjekët në QKUK. Është zënë qeni dhe e kemi parë që nuk ka qenë i trajtuar. Domethënë ka ardhur nga diku”, tha i pari i Prishtinës.
Ai tha se tashmë qeni është në mbajtje dhe do të trajtohet në bazë të proceseve ligjore dhe do të trajtohet si i tillë.
“Jemi duke bërë çdo gjë për ta zgjidhur problemin e qenve endacakë”, ka thënë Rama në konferencë për shtyp të premten.
I pari i Prishtinës njoftoi se javën e ardhshme do të thërrasin një konferencë në nivel lokal, “pasi siç kam thënë, ky problem nuk mund të zgjidhet vetëm nga një komunë”.
Megjithatë, në njoftimin e SHSKUK-së thuhet se dy mjekë janë sulmuar në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe një jashtë QKUK-së dhe se ata kanë marrë trajtimin e duhur mjekësor, pa ndonjë pasojë më të madhe.
Ndryshe, Prishtina ka hapur disa pika ushqyese për qentë endacakë në zona të ndryshme, megjithatë nuk i ka parandaluar sulmet e tyre ndaj njerëzve./F.S.























