Gërvalla për RTK: Për rastin me ambasadorin, zbatojmë procedurat
Fadil Sertolli / RTKlive.com
Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës Donika Gërvalla në një lidhje direkte për RTK-në ka thënë se Ambasadori Martin Berishaj, nuk do të shkarkohet për faktin se ky i fundit ka ngritur padi ndaj mediumit që ka shpifur për të, në gjykatën kompetente.
“Po çfarë mase do të mund të marr ndaj një njeriu i cili ka paraqitur padi penale për shpifje. Nuk janë institucionet e shtetit ato të cilat varësisht nga fjalët në kafe apo nëpër Portale, që ato të mund të marrin masa ndaj njerëzve të tyre”, tha Gërrvalla.
Tutje ka thënë ajo se çështjen në fjalë ambasadori e ka ngritur vet.
“Ambasadori Berisha ka ngritur padi penale dhe si një shtet normal ne do të jemi me procedura të rregullta. Ta presim procedurën e ngjarjeve dhe varësisht prej tyre të reagojmë”, ka thënë ajo.
Ndryshe, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës Përparim Kryeziu, në emër të Qeverisë së Kosovës ka reaguar rreth rastit të ambasadorit Berishaj. Ai tha se kërkesa për sqarime mbi të vërtetën është gjithmonë legjitime.
“Si Qeveri ne jemi të përgjegjshëm dhe llogaridhënës, por jemi të interesuar për llogaridhënie mbi të vërteta të dëshmuara dhe prova e jo pretendime dhe akuza”, tha ai.
Për rastin ka reaguar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila tashmë ka kërkuar, në komunikim me Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që nga Ambasadori Berishaj të kërkohet raport me shkrim lidhur me artikullin në një medie në Slloveni dhe po ashtu që Ambasadori Berishaj të thirret në Kosovë për të sqaruar situatën.
“ Në ndërkohë, sapo të sqarohet situata, Presidentja, bashkërisht me MPJ-në, do të bëjnë vlerësimin lidhur me pozicionin e Ambasadorit ashtu siç e kanë bërë për çdo pozicion tjetër”, thuhet në njoftimin e Presidencës.























